HEJZA me Xhemë Karadakun, shkrimtar
Xhemë Karadaku u lind në fshatin Ranatoc të Karadakut të Preshevës. Shkollën fillore e mbaroi në
vendlindje, të mesmen në Preshevë, ndërsa fakultetin në Prishtinë. Bashkëpunon me revista e portale të
shumta në gjuhën shqipe, ku ka publikuar një numër të madh të poezive, tregimeve, humoreskave dhe
enigmave të rimuara. Ishte anëtar redaksie i Revistës "Jehona" në Preshevë, ishte redaktor i revistës për
fëmijë "Ylberi" në Gjilan dhe një periudhë ishte anëtar i Redaksisë në revistën për Enigmatikë
“Horizonti” në Gjilan. Është autor i njëzet veprave letrare dhe publicistike. Është autor i qindra enigmave
të rimuara, të cilat i botoi në librat “Gjej e qesh” dhe “Zgjidh e Zgjidh” (botim elektronik). Është
prezantuar në Leksikonin e shkrimtarëve për fëmijë, të përpiluar nga shkrimtari i njohur Odhise Grillo,
në Antologjinë mbarëkombëtare të Letërsisë për fëmijë "Lule për lulet" të botuar në vitin 2014 dhe në
Antologjinë e poezisë për fëmijë "Bardhavera", Prishtinë, 2020, të përpiluar nga shkrimtari Jonuz
Fetahaj. Në vitin 2014, libri me poezi për fëmijë "JAM I MADH" u nderua me çmimin "Ymer Elshani" nga
Karvani Letrar "Agim Deva" si libri më i mirë i botuar në Kosovë. Është autor i shumë veprave për fëmijë
dhe fitues i shumë shpërblimeve. Është pronar i Shtëpisë Botuese “URA”, Prishtinë. Është anëtar i
Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton dhe punon në Prishtinë.
HEJZA: Shumë krijues letrarë e pak nga ata krijojnë për fëmijë! Krijuesit për fëmijë janë ata që e rrisin
dashurinë tek fëmijët për librin, që e ngacmojnë tek fëmijët fantazinë për t’u bërë shkrimtar, i hapin
dyert e botës fëmijërore ku mbruhet motivi për të shkruar, për të krijuar, për ta dashur gjuhën… Cili
është ai çelës që u mundëson shkrimtarëve për të depërtuar në botën fëmijërore për të ndihmuar në
këtë mbrujtje?
KARADAKU: Shkrimtarët për fëmijë aq sa kanë përgjegjësi për krijimet e tyre, kanë edhe një privilegj:
sikur e jetojnë fëmijërinë tërë jetën. Ata, kur shkruajnë për fëmijë, duhet të kenë parasysh botën e tyre,
t’i bëjnë shkrimet të pranueshme për këtë moshë dhe natyrisht të japin mesazhin e duhur. Me një fjalë,
duhet t’i japin hov imagjinatës për të zhvilluar imagjinatën e fëmijëve por edhe të lexuesve të tjerë të
rritur. Ndonjëherë, një dozë humori në shkrimet e tyre, besoj i bën më tërheqëse punimet e tyre për
këtë moshë të re, e cila është në formim e sipër.
HEJZA: Gjyshet tona na kanë rrëfyer përralla të cilat nuk i kemi hasur askund në letërsinë për fëmijë, as
në letërsinë shqiptare, por as në letërsinë botërore! Na kanë rrëfyer gjyshet tona se i kanë të dëgjuara
nga gjyshet e tyre, të cilat, nuk kanë ditur as shkrim dhe as lexim! Janë autore të rrëfimeve origjinale
vetë gjyshet dhe stërgjyshet tona, apo ka ekzistuar dikur shkrimtari për fëmijë, i cili ka shkruar për
vëllain e vogël të mençur, për kuçedrën, dragoin, bajlozin, puset e thella, degëzimet nëntokësore të
puseve, për zogun e madh që ka bartur mbi flatra një popull të mirë, për vetëtimën që ka çarë kodra, për
murmurimën që ka gurëzuar luftëtarë etj.
KARADAKU: Letërsia gojore është trashëguar brez pas brezi dhe na bën me dije se shpirti krijues ka
ekzistuar dhe do të ekzistojë përherë te një popull. Kjo letërsi (gojore) nuk kanë qenë përherë origjinale,
ka pasur edhe motërzime të kësaj letërsie e cila është ndryshuar dhe i është përshtatur rrethanave dhe
kohës. Megjithatë, shpirti krijues është përcjellë gjeneratë pas gjenerate përmes rrëfimeve, përrallave,
këngëve, anekdotave etj. dhe ka edukuar breza të tërë, ka dhënë mesazhe për kohën. Me zhvillimin e
shkencës dhe teknologjisë, ka ndryshuar edhe forma e transmetimit të letërsisë, në këtë rast edhe
forma e letërsisë gojore, sepse krijuesit tashmë idetë e veta, shkrimet e veta lexuesit ia përcjellin në
formë librash, apo tash edhe në formë elektronike. Duke pasur parasysh thënien “fjalët fluturojnë, ajo
që shkruhet mbetet”, sigurisht forma e shkruar e letërsisë i ka përparësitë e veta.
HEJZA: Në ç’nivel dhe në ç’pozita e kemi sot letërsinë për fëmijë? Cili është raporti i shoqërisë sonë me
krijuesit letrarë për fëmijë?
KARADAKU: Letërsia për fëmijë është në po atë nivel siç është edhe letërsia jonë në përgjithësi. Ka vepra
të arrira për fëmijë në gjuhë shqipe, të cilat janë të një cilësie të barabartë me letërsinë për fëmijë edhe
nivel regjioni e më gjerë. Krijuesit letrarë për fëmijë, te ne, ndoshta ndonjëherë nga shoqëria
konsiderohen si krijues të rendit të dytë, që është një gabim shumë i madh. Letërsia për fëmijë, do të
duhej trajtuar shumë më seriozisht nga institucionet, do duhej të kishte përkrahje më të madhe nga
shkollat, bibliotekat dhe nga shoqëria në përgjithësi, sepse ndikimi i saj është tejet i madh. Ndoshta
është njëri ndër faktorët kryesorë për të rritur gjenerata të reja me një vizion të qartë dhe me një
imagjinatë të zhvilluar. Por edhe krijuesit e letërsisë për fëmijë duhet të jenë të vetëdijshëm se jo
gjithçka që ofrojnë “gëlltitet” nga lexuesit. Pra, raporti shkrimtar-lexues (shoqëri në përgjithësi) do të
jetë korrekt, atëherë kur të dy palët japin dhe marrin vlera, të cilat do t’i qëndrojnë kohës.
HEJZA: Sa janë të vetëdijshëm shkrimtarët për fëmijë për rolin dhe peshën e tyre në shoqërinë tonë
shqiptare! Këta shkrimtarë bëjnë shumë për ata që janë ardhmëria e shoqërisë sonë, por, sa këta bëjnë
për vetveten! Apo, zëri i tyre është fare i papërfillshëm sepse janë shumë pak! Si pak që janë, a e
gëzojnë respektin e “shumicës”!
KARADAKU: Unë shpresoj se shkrimtarë për fëmijë, përkatësisht letërsi për fëmijë, do të ketë në çdo
fazë të zhvillimit të shoqërisë. Ndoshta paraqitja mund të jetë hove-hove, por një vijimësi e kësaj letërsie
do të jetë pa dyshim. Shkrimtarët për fëmijë, e thashë në fillim kanë përgjegjësi dhe privilegj, por duhet
jenë të vetëdijshëm se në këtë botë të zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe të qasjes së letërsisë në
internet, lexuesi ka mundësi të shumta zgjedhjeje të cilat kalojnë kufijtë e një vendi. Shkrimtari për
fëmijë, vetë ia bën vendin vetes në shoqëri me veprat në nivel ideoartistik dhe me temat që trajton.
Sigurisht, përkrahja e krijuesve të mirëfilltë për fëmijë është e domosdoshme, sepse mospërkrahja dhe
pengesat në këtë sferë, një ditë do të na kthehen bumerang të gjithëve pa dallim.
HEJZA: Në ç’nivele e kemi kritikën letrare për letërsinë për fëmijë? Kush e vlerëson këtë letërsi? Në
ç’mendime kritike objektive, apo, në ç’fakte mbështetemi kur konstatojmë se kemi (apo nuk kemi)
letërsi për fëmijë!
KARADAKU: Ka shkrime të herëpashershme për veprat e botuara për fëmijë, të cilat në të shumtën e
rasteve janë përshtypje leximi, apo recensione përuruese. Vlerësimi i kësaj letërsie bëhet në forma të
ndryshme: herë ka perceptime, herë ka vlerësime paushall, herë ka vlerësime miqësore, herë ka
vlerësime ‘armiqësore’. Mbi bazën e këtyre vlerësimeve vështirë është të krijohet një konstatim i saktë
se cili është niveli i letërsisë për fëmijë në gjuhë shqipe. Nganjëherë vlerat e vërteta në mungesë të një
‘marketingu’ mbeten nën hije, ndërsa disa ‘kryevepra’ bëjnë bum të rrejshëm. Kritikë të rregullt e cila e
përcjell letërsinë për fëmijë hap pas hapi nuk ka. Ndoshta kritiku më real, është lexuesi – për fat të keq i
paktë.
HEJZA: Kontakti i parë i fëmijëve të diasporës sonë me gjuhën letrare janë pikërisht librat apo edhe
rrëfimet elektronike të shkrimtarëve tanë për fëmijë! Cila është njohja e drejtpërdrejt të këtyre fëmijëve
me krijuesit shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe anasjelltas!
KARADAKU: Aq sa kam të informacione, ka përpjekje që librat për fëmijë në gjuhë shqipe të jenë në duar
të lexuesve në diasporë. Por këto janë më shumë përpjekje individuale, ose të shoqatave të ndryshme
dhe më pak të organizuara nga institucionet. Ndoshta e vetmja mënyrë për t’u pajisur me këto botime,
është kur ata vijnë me prindërit e tyre për pushime në atdhe dhe blejnë ndonjë prej tyre. Personalisht
kam pasur disa herë kërkesa të tilla për botimet e mia dhe të Shtëpisë Botuese “URA”, të cilën e
udhëheq. Por kjo formë është e pamjaftueshme.
HEJZA: Sa ka evoluar krijimtaria për fëmijë në kohën kur fëmijët po sfidohen me një “modernitet” i cili jo
se po kuptohet aq shumë nga të rriturit?
KARADAKU: Zhvillimi i letërsisë për fëmijë te ne nuk mund të bëhet i ndarë nga zhvillimet tjera në
përgjithësi si shoqëri. Por kjo nuk nënkupton vetëm rritjen në sasi, sepse sasia nuk garanton cilësi. Por te
letërsia për fëmijë, sidomos në Kosovë, ka mungesë edhe të sasisë. Gjeneratat e reja sikur më rrallë i
përkushtohen letërsisë për fëmijë, apo edhe kur ia nisin bëjnë disa hapa, pastaj ndalen. Është një
fenomen i cili kërkon një analizë më të përgjithshme, kërkon një studim më të gjithanshëm. Por një gjë
mund të thuhet se përderisa shkrimtarët e dikurshëm për fëmijë (gjeneratat e kaluara) ishin më
idealistë, shkrimtarët për fëmijë të gjeneratave të reja janë më tepër pragmatistë. Këtë mund ta ilustroj
me një shembull konkret. Një krijues i ri i cili kishte botuar katër-pesë libra shumë interesante për
fëmijë, njëherë më bëri një pyetje: A mund të jetohet në Kosovë duke shkruar libra për fëmijë? Çfarë t’i
thosha. Ta gënjeja? Jo. U zura ngushtë, vetëm rrudha supet dhe ai përgjigjen e mori vesh. Dallimet në
gjenerata kanë ekzistuar dhe ekzistojnë edhe tash. Bota e internetit ka rritur edhe më shumë këto
dallime. Megjithatë duhet të ketë një mirëkuptim nga të rriturit për këtë sfidë, por me kusht që ajo të
përdoret për të mirë, e jo për të keq. Një kontroll i duhur sidomos për moshat e reja, duhet të jetë
patjetër.
HEJZA: A e shihni si problem faktin që, fëmijët tanë sot, më shumë i njohin shkrimtarët e huaj se sa
shkrimtarët shqiptarë për fëmijë! Pse po ndodhë kjo? Si të arrihet e kundërta?
KARADAKU: Fëmijët dhe të rinjtë duke njohur gjuhët e huaja, sidomos gjuhën angleze, i krijojnë vetes
‘luksin’ që të lexojnë letërsi në gjuhë të huaja, pra në origjinal. Natyrisht, interneti mundëson këtë
konkurrencë dhe ata e shfrytëzojnë. Nuk e shoh problem, pse ata lexojnë më shumë letërsi të huaj, e
shoh si problem pse letërsia për fëmijë dhe të rinj në gjuhë shqipe, nuk arrin të jetë tërheqëse për ta. A
refuzohet ajo sepse është në pyetje (mos)vlera apo është thjesht trend, si për çdo gjë tjetër te ne.