Dje (më 12 mars 2022) u mbajt duaja e hatmes nga 16 nxënëse të cilat ndoqën mësimin e leximit të Kuranit në Xhaminë e vjetër të fshatit Çerkez të Kumanovës.

Për shkak të pandemisë kjo ngjarje ishte më modeste.

Mualimja (mësuesja) Feime Shabani duke vlerësuar arritjen e këtyre nxënëseve tha se ndjehet e lumtur që sot të gjithë së bashku përmbyllën me suksese këtë hatme.

“Mësimin e leximit të Kuranit e kemi nisur prej para pandemisë, pra prej vitit 2020. Tani jemi shumë të lumtura që erdhi ky moment që ta përmbyllim me sukses duan e hatmes. Ne edhe pse kemi qenë në kohë pandemie nuk jemi ndalur, kemi mësuar ‘online’. Gjithashtu vlen të potencohet se këto 16 nxënëseve kanë qenë të moshave të ndryshme, madje ka pasur edhe zonja të moshës që i kanë kaluar të 60-tat, por vullneti i tyre i madh na ka bërë që ne të japim gjithcka nga vetja dhe ta mbyllim me sukses hatmen”, deklaroi Mualimja (mësuese) Feime Shabani, e cila nuk lë pa e falënderuar edhe ndihmësen e saj, Emine Ibraimi.
“Me Eminen jemi shoqe të mira dhe kjo miqësi mes nesh ndër vite ka dhënë gjithmonë rezultate të mira. Për cdo gjë kemi gjetur mirëkuptim. E falënderoj shumë”, shtoi ajo.

Edhe nxënëset janë shprehur të lumtura që e konkretizuan këtë hatme. Disa prej tyre thanë se edhe pse fillimi ishte tepër i vështirë, me angazhim, përkushtim dhe me lejen e Zotin arritën që të bëjnë hatme dhe tash me kënaqësi do t’i lexojnë fjalët e Zotit.
Në këtë event fetar kanë marrë pjesë edhe teologet e njohura nga Kumanova: Imërzade, Xhejlane dhe Shenaje si dhe dhe dy hafizet nga Çerkezi zonjat Demersha dhe Fexhrije./Open-TV/