Prokurorja Lile Stefanova sekuestron pasurinë e biznesmenit dhe ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov për rastin “Perandoria”. Ajo ka paraqitur gjashtë kërkesa për ndalim të përkohshëm për tjetërsimin dhe disponimin e pasurive të paluajtshme.

Prokuroria ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të sekuestroj pjesë të pasurisë së ish-shefit të shërbimit sekret të Maqedonisë, Sasho Mijallkov, i cili këtë javë u përfshi edhe në “listën e zezë” amerikane.

Sipas kësaj prokurorie, Mijallkovit do ti sekuestrohet pasuria për rastin “Perandoria” që ishte procesuar në fillim nga Prokuroria Speciale, por që më pas me shuarjen e saj, lënda kaloi tek Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Kërkesat janë si rezultat i ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se pasuria ka origjinën nga krimi dhe se deri në përfundim të procedurës penale do të jetë veçanërisht e vështirë ose e pamundur sekuestrimi i saj. Aq më tepër që nga provat e mbledhura rezulton se prona e propozuar është pronë e cila i është kaluar palëve të treta me qëllim fshehjen e pronarit të saj të vërtetë”, tha Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Kështu, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendoset masë e ndalimit për tjetërsimin dhe disponimin e:

Një pjese të kompanisë “Divelop Grup DOO” në Shkup, e cila ka një pronësi Hotel Grand M DOOEL Shkup

Një pjesë të pasurisë së një personi fizik apo 67,5% të aksioneve të kompanisë “Divelop Grup DOO Shkup”

Pjesë apo kapitalin themelues prej 32.5% të kompanisë “Best way investment DOOEL Shkup

Pronë të patundshme të kompanisë “Biznis Properti Investment DOOEL Shkup” me vlerë prej 58.282.500,00 denarë, apartamente me një vlerë prej 720 m2 si dhe garazhe me hapësirë prej 92 m2

Letra me vlerë (7213 aksione) të kompanisë “Eksiko DOOEL Shkup”, e cila i ka në Stopanska Banka SH.A. Manastir. Vlera e një aksioni është rreth 50 euro apo 3000 denarë, në total mbi 360 mijë euro

Pronë e patundshme – lokal në ndërtim i locuar në Sheshin Maqedonia me hapësirë prej mbi 566 m2 me vlerë prej 1,6 milionë euro, që është nën emrin e kompanisë “Sis Invest Grup DOOEL Shkup”

Të gjitha kërkesat janë pranuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Masat e përkohshme kanë hyrë në fuqi menjëherë dhe sekuestrimi i pasurisë është regjistruar në Regjistrin Qendror dhe në Agjencinë për kadastër të patundshmërive – Qendra për kadastër të patundshmërive Shkup. Sekuestrimi nuk është përfundimtar”, shtoi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.