1.200 PAKO ME MJETE USHQIMORE DHE 400 ME MJETE HIGJIENIKE
1.200 pako me ndihma ushqimore dhe 400 pako me mjete higjienike nga Kryqi i Kuq RMV sot u nisën për të ndihmuar popullatën e prekur nga konflikti në Ukrainë, përcjellë KlanMacedonia.
Njeriu i parë I Kryqit të Kuq në RMV, tha se këto ndihma ishin paraparë të dërgoheshin më herët, por janë hasur probleme me transportin, që fatmirësisht tashmë janë zgjidhur.
“Ndihma e përgjithshme që deri tani e kemi dërguar në Ukrainë është 1.200 pako me ushqime dhe 800 pako me mjete higjienike. Vlera është 3.29 milionë denarë. Kemi pasur vështirësi rreth transportit për shkak se shumë transportues këtë nuk e bëjnë, por tani përfundimisht kjo u zgjidh dhe shpresojmë se shumë shpejt, brenda dy ditëve ndihma do të mbërrijë atje ku duhet” – Sait Saiti, sekretar i përgjithshëm i kryqit të kuq në RMV.
Zëvendës Ambasadori i Ukrainës në RMV-ut, Roman Bugau tha se ndihma u dedikohet familjeve të prekur nga lufta që gjenden në zona të rrezikshme si dhe familjeve të cilët janë larguar shtëpitë e tyre dhe gjenden në zona të sigurta në Ukrainë.
“Në emër të Ambasadës së Ukrainës dhe në emër të ambasadores Natalia Zadruzhnyuk, dëshiroj të falënderoj Kryqin e Kuq dhe të gjithë popullin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen në këtë aksion dhe për mbledhjen e donacioneve të ndihmës për familjet në nevojë në këtë kohë të vështirë për Ukrainen” – deklaroi Roman Bugau, zv ambasador i Ukrainës në RMV.
Ndihmat për Ukrainën janë siguruar nga qytetarët, institucionet dhe nga rezervat e Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut. Kryqi I Kuq është në pritje edhe të mjeteve që janë miratuar nga autoritetet e Komunave.