Sot, në Prizren, një delegacion i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në përbërje Dr. Skender Asani – Drejtor, Dr. Sefer Tahiri – Sekretar Shkencor dhe Dr. Zeqirija Ibrahimi – këshilltar shkencor, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga drejtori, Dr. Skender Asani, dhe rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Dr. Samedin Krrabaj.

Me këtë marrëveshje bashkëpunimi është dakorduar që edhe Universiteti “Ukshin Hoti” të përfshihet në aktivitetet shkencore të edicionit të sivjetmë të manifestimit shkencor “Ditët e alfabetit”, që i kushtohen 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, si dhe për ta zgjeruar mundësinë e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi të bashkëpunimit, përfaqësuesit e Institutit patën mundësi që ta prezantojnë Institutin para profesorëve dhe studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti”.

Me këtë rast drejtori, Dr. Asani, foli për rëndësinë dhe peshën shkencore që e ka Instituti në hapësirën akademike në Maqedoninë e Veriut, Dr. Sefer Tahiri foli për departamentet e Institutit dhe veprimtarinë e tyre, ndërsa Dr. Zeqirija Ibrahimi foli për veprimtarinë botuese të Institutit.

Në fund u zhvillua edhe një bashkëbisedim mes përfaqësuesve të Institutit dhe studentëve të pranishëm në këtë prezantim.