“Sot bëhen dy javë që kur ka filluar Viti i Ri shkollor. Njëjtë si vitet e kaluara, edhe këtë vit janë krijuar pengesa me transportin e nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Gostivarit. Janë të shumtë prindërit që drejtohen tek ne dhe ankohen se fëmijët e tyre nuk po shfrytëzojnë transportin si një e drejtë e garantuar, pasi komuna dhe shkollat edhe pse kanë kaluar dy javë ende nuk po kryejnë detyrimet që kanë ndaj nxënësve”, akuzuan sot nga BDI, dega në Gostivar.
Nga atje thonë që nxënësit, prindërit dhe banorët e Gostivarit në përgjithësi, kanë të drejtë ta dijnë se ku qëndron problemi i krijuar që po përsëritet për çdo fillimvit shkollor.
Organizimi i transportit të nxënësve, thonë nga BDI – Gostivar, është obligim i shkollave dhe komunës, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës – MASH, përmes bllok dotacioneve, për çdo fundmuaj, po transferon mjetet financiare në xhiro-llogarinë e Pushtetit Lokal.
“Justifikime nuk mund të ketë. Mjetet financiare sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës – MASH, ndërsa Pushtetit Lokal i mbetet vetëm të organizon prokurimin publik. Asnjë ditë të mos presim që të ndodh ndonjë fatkeqësi, ashtu siç ka ndodhur në periudhën e afërt, që pastaj të merremi me pasojat”, thonë nga BDI, nga ku kërkojnë nga drejtuesit e Pushtetit Lokal në Gostivar, urgjentisht të merren me tejkalimin e situatës së krijuar, pasi që lëvizja e nxënësve në këmbë sjellë rrezik nga prania e pakontrolluar e qenve të pastrehë në çdo vendbanim të Gostivarit.
“Neglizhenca dhe vonesa e krijuar po nevojë, nuk i shërbejnë aspak paralajmërimit për reduktimin e ndriçimit publik të rrugëve dhe bulevardeve, për shkak të krizës energjetike. Në një situatë të tillë, situata do të ishte e papërballueshme për nxënësit e ndërrimit të pasditës”, akuzojnë nga BDI, Gostivar.
Ndaj akuzave të degës së BDI në Gostivar, pritet reagim nga drejtuesit e Pushtetit Lokal në Gostivar.