Nëntë punonjës të një fabrike përpunimi ulliri janë paraqitur këtë të enjte me shenja intoksikimi në spitalin e Fierit.
Pacientët janë shoqëruar ne mjediset e urgjencës dhe po marrin ndihmën mjekësore.
Sipas mjekëve ata nuk paraqesin komplikacion dhe janë duke iu nënshtruar të gjitha ekzaminimeve mjekësore, raporton TCH.
Situata e pacientëve paraqitet e stabilizuar, duke qenë se kanë marrë në kohë edhe shërbimin mjekësor.
Është parë e nevojshme që katër pacientë të mbahen në observim spital, ndërsa të tjerët janë larguar për në shtëpi. Situata paraqitet normale edhe për katër pacientët që vijojnë të marrin terapi, e pas përfundimit të saj do të shoqërohen për në banesë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 10:00, në Spitalin Rajonal Fier, kanë shkuar me shenja helmimi dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, 9 shtetase, të cilat punojnë në një fabrikë përpunim ullinjsh, në aksin rrugor “Fier – Vlorë”.
Nga verifikimet paraprake, dyshohet se helmimi i tyre ka ardhur si pasojë e një reaksioni të shkaktuar nga produkti aromatizues (parfum) i përdorur nga njëra prej këtyre shtetasve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.