Mbreti Tutankhamen ishte faraoni më i ri, varri antik i të cilit, i mbushur me artefakte të çmuara, ka tërhequr gjenerata të tëra që kur u zbulua për herë të parë.
Për shumë njerëz, “Mbreti Tut” është simboli më i fundit i lavdisë së Egjiptit të lashtë. Tutankhamen e trashëgoi fronin kur ishte vetëm 9 vjeç dhe qeverisi deri në vdekjen e tij, në moshën 18 ose 19-vjeçare.
“Këtë vit, në 2022-shin, po festojmë jo vetëm në Egjipt, por në të gjithë botën zbulimin e Tutankhamen. Bëhet fjalë për 100-vjetorin e zbulimit të varrit të djaloshit-mbret. Objekti mahniti mbarë botën pasi sende të paprekura u gjetën brenda tij”, thotë Mostafa Waziri, nga Këshilli Suprem i Antikiteteve.
Varri u gjet nga egjiptologu britanik Howard Carter në vitin 1922.
“Varri i Tutankhamen ishte i vetmi që u gjet i paprekur në Luginën e Mbretërve. Është një histori e gjatë dhe e bukur. Kur Carter e zbuloi atë më 4 nëntor të 1922-shit, ai gjeti 5 mijë e 398 sende, shumica e të cilave prej ari. Ndërsa vetë varri është modest, është shumë i vogël krahasuar me varret e tjera në Luginën e Mbretërve”, u shpreh Waziri.
Zbulimi i varrit 3 mijë-vjeçar ishte një moment vendimtar në arkeologji. Pjesa e jashtme e objektit është ndërtuar me dru dhe i praruar me ar.
“Pas mijëra fotosh që iu bënë mumjes së Tutankhamen, ne mund të themi se ai vdiq për shkak të aksidentit që përfshiu autokolonën që shoqëronte karrocën e tij, rrota e majtë e të cilës u shkëput. Ai vdiq dy ditë pas aksidentit”, theksoi Mostafa Waziri.
Mumja e Tutankhamen dhe sendet në varrin e tij do të shfaqen së bashku në Muzeun e Madh Egjiptian në Giza, ku ai të hapet. Ky do të jetë ekspozimi i parë i 5 mijë e 398 sendeve me vlerë në histori.