Merxhan Jakupi

Në Ballkanin Perëndimor, gojëkëqijtë thonë se po bien daullet e luftës, ato që u përngjasin atyre të viteve të ‘90-ta dhe shumëkush pret rrëshqitjen në greminë. Fuçia e barotit po tundet për të shpërthyer dhe flaka ta përfshijë gjithë rajonin. Në këtë kontekst, po shtinë vaj në zjarr manifestimi kushtuar përvjetorit të ashtuquajtur të shpalljes së pavarësisë të Republikës Serbe që u mbajt më 9 janar, ku kanë parakaluar njësitet paramilitare, ngjashëm si në fillim të konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë në fillim të viteve të 90-ta, që thërrasin në luftë e likuidim, kundër boshnjakëve myslimanë, shqiptarëve dhe kroatëve (Millorad Dodik). Ai, bashkë me ministrin e jashtëm dhe të birin e Vuçiqit i kanë ndarë dekoratë presidentit rus, Vladimir Putin. Disa incidente në Kosovë, kohëve të fundit, tensionuan edhe më tej situatën atje, njëherësh duke tentuar që të bindin opinionin ndërkombëtar se serbët në Kosovë janë të pambrojtur, ndaj dhe thirren në nenin 1244 për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Situatë e rëndë mbretëron edhe në Mal të Zi, ku ky shtet që pretendon Evropën, është në prag të luftës qytetare, me ardhjen e strukturave politike pro-serbe dhe rusofile. Një situatë e ngjashme mund të shkallëzohet edhe në Maqedoninë e Veriut, nëse mbahen zgjedhje të parakohshme apo ato të rregullta në vitin 2024, ku sipas sondazheve, me siguri do të fitojë partia nacionaliste VMRO-DPMNE dhe disa parti të tjera të vogla pro-serbe dhe pro-ruse, që mund të shkaktojnë tensione të kurdisura, me qëllim të destabilizimit të këtij shteti dhe nxitjes së konflikteve ndëretnike, thonë disa analistë dhe ekspertë për çështje të Ballkanit.

Përkëdhelja perëndimore

Burimi i këtyre dezintegrimeve dhe tensioneve ndëretnike në Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnje rrjedhin nga presidenti serb, Vuçiq, ndërsa Brukseli dhe Uashingtoni nuk ndërmarrin asgjë për ta disiplinuar, madje tej mase e tolerojnë. Në disa raste edhe e shpërblejnë atë, me ndarjen e fondeve për zhvillim. Në anën tjetër, ai vazhdon edhe më tej t’i injorojë dhe t’i kundërshtojë politikat integruese dhe paqësore, duke mos u larguar nga përqafimi i Putinit dhe ksenofobisë anti-perëndimore. Sipas analistëve, presidenti serb është një ndër autokratët dhe autoritarët më të fortë pas Sllobodan Millosheviçit. Gjatë viteve të ’90-ta, për luftërat në ish-Jugosllavi, megjithatë partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, kishin bisedime pikërisht me Millosheviqin. Sipas analistit serb, Boshko Jakshiq, Uashingtoni dhe Brukseli zhvillonin bisedime për paqe me këtë autokrat, deri në shpalljen e tij kriminel dhe dërgimin në Gjykatën e Hagës, duke e ditur se ai ishte protagonisti kryesor i luftërave në ish-Jugosllavi. Kjo histori po përsëritet. Sërish Uashingtoni dhe Brukseli janë kapur për bisedime me Vuçiqin, sepse e dinë që ai është një autokrat që mund të vendos për gjithçka, për paqe ose luftë. Në këtë kontekst, diplomatët perëndimorë preferojnë të përdorin më shumë karotën se sa shkopin. Kritikuesit e politikës së Vuçiqit thonë se pranë tij janë ministrat pro-rusë, nga të cilët nuk guxon, edhe po qe se do, që të vendos sanksione ndaj Rusisë. Ai, atëherë, po të ulej në një karrige me perëndimorët, do të rrezikohej nga ndonjë atentat të papritur, ngjashëm si me Gjingjiqin.

closevolume_off
Serbia e madhe nën protektoratin rus

Një akademik serb ankohet se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërja e ish-Federatës Jugosllave, është një ndër tragjeditë më të mëdha të shekullit 20, për Rusinë dhe Serbinë. Serbët gjatë monarkisë dhe federatës jugosllave ishin popull hegjemon, dominonin dhe jetonin të bashkuar në një shtet. Ngjashëm ishte edhe me Bashkimin Sovjetik, me shpërbërjen e të cilit, rusët patën një efekt domino. Ndërkaq, ardhja e Vlladimir Putinit në pushtet solli rikthimin e synimeve për një perandori cariste, për të filluar me aneksimin e provincave me shumicë ruse të Gjeorgjisë dhe Moldavisë, si dhe së fundmi lufta për pushtimin e Ukrainës, pastaj për të vazhduar me Bjellorusinë dhe republikat aziatike turkmene, që ishin të okupuara nga carët rusë. Projekti i Kremlinit dhe ai i “botës serbe” janë një mostër për rikthimin e Rusisë së madhe dhe të Serbisë së madhe.

* * *

Aleksandar Vuçiqi dhe elita politike rreth tij do të vazhdojnë të qëndrojë në dy karrige, derisa nuk përfundon lufta në Ukrainë, konsiderojnë disa analistë politikë. Vuçiqi dhe Dodiku kanë vënë bast se do të shkojnë me fituesin. Liderët serbë dhe pjesa dërmuese e popullit serb janë në pritje të realizimit të kauzës së tyre dhe ëndrrës shekullore, që kryekëput varet nga Putini. Ëndrra e tyre konsiston në shpresën e madhe për triumfin eventual të Putinit dhe nënshtrimit të Perëndimit, në mënyrë që Serbia të dalë në skenë dhe t’i aneksojë Republikën Serbe, Malin e Zi dhe Kosovën, për të themeluar federatën e Serbosllavisë. Vuçiqi ëndërron për këtë triumf dhe ngjashëm si mentori i tij Millosheviçi, në vitin 1989, me serbë të bashkuar në një shtet, të hyjë në mënyrë triumfale në Kosovë, për të mbajtur një tubim madhështor. Analistët politikë shkojnë edhe më tej, duke paraqitur skenarin tjetër, nëse humb Putini, atëherë do të fillojë një shpërbërje e re, ku myslimanët e Sanxhakut do të bashkoheshin me ata të Bosnjës, Vojvodina do të shpallte pavarësinë, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës do t’i bashkëngjiteshin Kosovës. Ky do të ishte epilogu i plotë i shpërbërjes së federatës së ish-Jugosllavisë, duke mbetur Serbia me “pashallëkun e Beogradit”.