Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ishte i ftuar në emisionin debativ “Klan Debat” në TV Klan, ku iu përgjigj temave aktuale të ekonomisë.

Zëvendëskryeministri Bytyqi iu referua vendimit të fundit për rritjen e pagës minimale në 20.175 denarë, për çka tha se për herë të parë në Këshillin Ekonomiko-Social nuk ka pasur negociata dhe shantazhe, sepse zgjidhja rrjedh nga metodologjia e re që e miratuam vitin e kaluar për rritjen e pagës minimale në nivel vjetor.

“Në sektorin publik, Qeveria do të vendosë se çfarë do të bëhet me pagat e tjera. Të gjithë nëpunësit administrativë, 27 mijë sosh, do të kenë rritje lineare të barabartë me rritjen e pagës minimale. Këtu përfshihen punonjësit e sektorit të shërbimeve sociale, si dhe punonjësit e sektorit të kulturës, të cilët janë rreth tre mijë. Të gjithë sektorët tjerë që nuk kanë respektuar ligjet e pagave do të duhet të respektojnë disa ligje në periudhën e ardhshme. Për këtë arsye ne i kemi thirrur sindikatat në mbledhje javën e ardhshme për marrëveshjen kolektive në sektorin publik, ndërsa në sektorin privat i takon punëdhënësve ta bëjnë këtë”.

Zëvendëskryeministri Bytyqi, i ftuar në Klan Debat, foli edhe për masat që po i ndërmerr Qeveria për përballimin e krizës ekonomike. Sipas tij, nga kjo javë do të hyjnë në fuqi edhe masat tjera, përveç asaj për ngrirjen e çmimit të bukës si pasojë e sjelljes joetike të operatorëve ekonomikë.

“Në tetor të vitit të kaluar, pas diskutimeve me prodhuesit e ushqimit, miratuam një masë për subvencionimin e energjisë elektrike që do të parandalojë rritjen e çmimeve, por kjo marrëveshje nuk është respektuar. Prandaj tani kemi masën e ngrirjes së çmimeve që do të jetë e vlefshme edhe në periudhën kur kompanitë nuk do të përdorin energjinë elektrike të subvencionuar. Derisa të stabilizohet çmimi i produkteve në treg do të vazhdojmë me masën e ngrirjes së çmimeve, sepse është koha që çdo pjesëmarrës në jetën shoqërore të sillet moralisht”, tha Bytyqi, i cili informoi se nga 16 marsi do të bëhet ngrirja e çmimit të produkteve të qumështit dhe makaronat, por edhe se po bëhen analiza për ngrirjen e mundshme të çmimeve të disa produkteve të tjera ushqimore bazë.

Në këtë emision debatues në TV Klan, zëvendëskryeministri Bytyqi foli edhe për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d dhe përfitimet e tyre, për importin e fuqisë punëtore, për ndryshimet kushtetuese dhe për “One-stop shop”-in edhe në kufirin me Shqipërinë, për të cilin tha se do të jetë gati këtë verë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume