Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq në Bruksel, ku po qëndron edhe ekipi i TV21, tha se Qeveria ka angazhuar Ministrinë e Drejtësisë për të formuluar amendamentet e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, me çka përfundimisht nis hapja e klasterëve në negociatat për anëtarësim të Maqedonisë në BE. Mariçiq tha se pas formulimit të amendamenteve do të vijojë debati publik mbi të njëjtat.

“Qeveria në seancën e djeshme e ka hapur këtë çështje dhe mendoj se nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë do të fillojë një proces konsultativ në të cilin në periudhën në vijim, në ditët në vijim apo jo më shumë se 2-3 javë do të formulohen amendamentet kushtetuese në një proces gjithëpërfshirës me më shumë ekspertë, mendoj do të ftohet…mendoj se tashmë është ftuar edhe opozita që të merr pjesë në këtë proces dhe të jep kontribut në formulimin e amendamenteve”, tha mes tjerash Mariçiq.