Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar 74-vjetorin e themelimit të NATO-s.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se fuqinë e drejtësisë së kësaj aleance e përjetoi edhe populli i Kosovës, në momentet më vendimtare të historisë së tij për çlirim, gjë për të cilën, Haradinaj tha se do të jetë gjithmonë mirënjohës.

“Aleanca më e fortë politiko-ushtarake në botë, që mbron lirinë, demokracinë, paqen dhe sigurinë jo vetëm në Amerikën Veriore dhe Evropë, por në tërë globin, sot shënon ditëlindjen e 74-të. Fuqinë e drejtësisë së kësaj aleance të madhe, e përjetoi edhe populli i Kosovës, në momentet më vendimtare të historisë së tij për çlirim, për çka jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai tha se sot Republika e Kosovës është kontribuuese me ushtri në misione ndërkombëtare paqeruajtëse të kësaj aleance.

“Si popull i lirë me orientim të natyrshëm euroatlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e barabartë e aleancës së shteteve të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-ja”, ka shtuar ai.

Haradinaj tha se beson se Kosova e ka vendin në NATO, për të qenë krah miqve ndërkombëtarë për ta ndihmuar në paqe dhe liri.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume