Grupi i anëtarëve të Kryesisë të BDI-së, i njohur në publik si Grupi i Zjarrit, zhvilloi konferencën e parë për media si Fraksion. Përfaqësuesit e grupit, Visar Ganiu dhe Saranda Imeri Stafai informuan se tash më do të veprojnë si fraksion në aspektin organizativ dhe politik brenda BDI-së.
Ganiu tha se e konsiderojnë akt demokratik shprehjen e mendimit ndryshe, apo funksionimin si grup i veçantë brenda partisë, sepse ndihmon partinë të korrigjojë mangësitë në funksionimin dhe orientimin e saj në planin organizativ dhe politik, duke shtuar se BDI është shtëpija jonë, në të cilën për momentin është shterur debati.
Saranda Imeri Stafai tha se për tre vite me radhë paralajmërojmë se nuk respektohet Statuti dhe Programi i BDI-së, dhe qëndrojnë para qytetarëve si Fraksion me zotimin se do të jenë zëri i padiskutueshëm i nevojave dhe kërkesave jo vetëm të elektoratit të tyre, por edhe të gjithë shqiptarëve dhe se nuk do ta shuajmë në asnjë mënyrë këtë zë dhe angazhim.
Nënkryetari i BDI-së dhe deputet i kësaj partie, Izet Mexhiti në pyetje të gazetarëve sqaroi se nuk largohen nga BDI, por se në këtë formë synojnë të fitojnë betejën brenda partisë, duke qenë të bindur se kanë argumentet e plota për funksionimin e tyre si fraksion.
‘Fraksioni nënkupton që ne jemi pjesë e BDI-së, do të marrim pjesë në mbledhje dhe do të jemi të zëshëm për qëndrimet tona’, tha Mexhiti. Ai alarmoi se organet partiake si Këshilli i Përgjithshëm, Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm, Kryesia e Këshillit, degët dhe këshillat vendore trajtohen si dekor, ndërsa u shpreh se dallimet politike janë thelluar sidomos me moszbatimin e gjuhës shqipe, dhe theksoi qëndrimin e fraksionit se është momenti politik që të hiqet përkufizimi 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta. Fraksioni tha Mexhiti, është kundër rritjes së pagave të zyrtarëve, dhe kërkon që paga minimale të jetë 500 euro.
Sa i përket Korridortit 8-të, Mexhiti u përgjigj se Franksioni brenda BDI-së përkrahë këtë projekt, por se e shef me sy realistë, dhe uroi që mos ta ketë fatin e autostradës Shkup-Bllacë që Bujar Osmani dhe Artan Grubi dështuan ta realizojnë.
Sekretari organizativ Blerim Bexheti në pyetjen e gazetarëve se çfarë do të bëjnë në rast të përjashtimit të tyre nga BDI, tha se ata janë zgjedhur prej kongresit të BDI-së si anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, dhe nëse i shqyrtojmë të gjitha argumentet që i kemi bërë publike pikënisja e pakënaqësive është mosrepektimi i statutit, dhe do të ishte demonstrimi i forcës dhe jo vendim racional, duke u shprehur se është e drejtë e tyre si do të veprojnë. Neve, tha Bexheti, duam të përcjellim opinionit se jemi në të drejtën tonë, në të drejtën apsolute dhe fraksioni është vendim politik për mendim ndryshe për tema të caktuara, dhe deri këtu ka ardhur për shkak të mosfunksionimit të organeve.
Fraksioni Brenda BDI-së shprehu revoltën se në Raportin e ministrave nuk përmendet askund kontributi i UÇK-së, dhe aktualizoi nevojën imediate për hartimin e një ligji për rregullimin e statusit të familjeve të dëshmorëve të rënë dhe invalidëve të luftës.
Fraksioni i BDI-së, ka adresuar një sërë propozimesh që duhet zbatuar, duke filluar me debat për Kodin Zgjedhor dhe formimin një grupi pune në Ministrinë e Drejtësisë që duhet tu mundëson diasporës të ketë të drejtën e votës elektronike, si dhe të hapet diskutim i gjerë publik për Ligjin për kazinotë, duke sqaruar se Fraksioni mban qëndrimin se ato duhet të jenë jashtë zonave të banuara. Në press konferencë u potencua se nuk duhet pasur frikë nga fraksionet, sepse ato janë një praktikë në Evropë, dhe ata që pretendojnë se kanë një front evropian, më së miri duhet ta dijnë këtë.