Kjo periudhë e vitit karakterizohet nga rritja e temperaturave dhe shënimi i festave të Pashkëve, që nënkupton se është rritur lëvizja e këmbësorëve, si dhe është rritur numri i automjeteve që shkojnë në destinacionet e fundjavës ose në udhëtime më të gjata.
Pikërisht për këtë arsye, në muajin prill, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Fakultetin e Sigurisë nga Shkupi, realizojnë fushatën për sigurinë e këmbësorëve me moton “Edhe unë edhe ti – të gjithë jemi këmbësorë”.
Qëllimi i fushatës është ndërgjegjësimi i këmbësorëve për rreziqet me të cilat mund të përballen në komunikacion, si dhe për përmirësimin e sigurisë së tyre.
Fushata do të realizohet në më shumë vendbanime në mbarë vendin dhe do të zbatohet përmes aktiviteteve parandaluese dhe edukative në komunikim të drejtpërdrejtë me këmbësorët dhe shoferët për të ndërtuar zakone të drejta të komunikacionit dhe sjellje etike të të gjitha kategorive të pjesëmarrësve në komunikacion.
Këmbësorët duhet të dinë se janë pjesëmarrës të barabartë në komunikacion dhe se duhet detyrimisht t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.
Këmbësorët, ashtu si shoferët, shpesh janë viktima në aksidentet e komunikacionit. Sipas të dhënave statistikore në RMV, në tre vitet e fundit, 15-25% e numrit të përgjithshëm të personave të vdekur në aksidentet e komunikacionit janë këmbësorë, përkatësisht 20-25 këmbësorë kanë humbur jetën në aksidentet e komunikacionit.
Statistika e tillë tregon se është e domosdoshme të merren masa parandaluese për të rritur sigurinë e këmbësorëve në komunikacion, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin e këmbësorëve dhe shoferëve për respektimin e rregullave të komunikacionit dhe për pjesëmarrjen e ndërgjegjshme në komunikacion, sepse siguria e këmbësorëve dhe shoferëve duhet të jetë kujdes i përbashkët.
Prandaj, këmbësorëve u rekomandojmë:
• Kaloni rrugën vetëm në vendkalimin e shënuar të këmbësorëve ose në udhëkryq.
• Lëvizni në trotuar ose në shteg në vend të rrugës, të kthyer drejt komunikacionit nëse trotuari ose shtegu nuk është i disponueshëm.
• Bëni kontakt me sy me shoferin e automjetit që vjen drejt jush.
• Respektoni sinjalizimin e komunikacionit për këmbësorët, por gjithmonë kini parasysh edhe sinjalizimin për shoferët.
• Vishni ngjyrë të ndritshme ose reflektuese kur kaloni në vendkalimin e këmbësorëve gjatë natës.
• Mos përdorni telefon celular ose kufje kur kaloni në vendkalimin e këmbësorëve.
KRSKRR-ja bën thirrje: Respektoni rregullat e komunikacionit. Kaloni me kujdes dhe në vendkalimin e shënuar të këmbësorëve. Siguria e këmbësorëve dhe e shoferëve le të jetë kujdes i përbashkët!