Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Marec të Komunës së Prishtinës, në shënim të 24-vjetorit të rënies heroike të 27 dëshmorëve dhe vrasjes së 16 martirëve.

Kurti tha se bëhet fjalë për një betejë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ia futi tmerrin forcave armike serbe, të cilët më pastaj në fshatin Makoc, e shfrynë mllefin e tyre nga humbja e kësaj beteje mbi civilët e pafajshëm e të pambrojtur.

Ai tha se si institucione të Republikës, si politikanë përfaqësues, si qytetarë të këtij vendi u jemi përjetë mirënjohës e falënderues, por gjithashtu shprehim zotimin tonë edhe për kujtime e përkujtime institucionale, por gjithashtu edhe për angazhimin për drejtësi për viktimat e për ndëshkim për kriminelët.

Nga Mareci, kryeministri bëri homazhe në Makoc, në masakrën më të madhe në komunën e Prishtinës, ku ndërmjet datave 19 dhe 23 prill, u vranë gjithsej 115 civilë, fëmijë e pleq, që është një dëshmi e radhës së gjenocidit të Serbisë, që u mundua ta shfarosë popullin shqiptarë nga trojet e veta stërgjyshore.

Bashkë me kryeministrin Kurti në homazhe ishin edhe Ministri i Shëndetësisë/njëherësh kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Vitia, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe aktivistë të tjerë.

Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, bëri homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve, si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, në lagjen Velania të kryeqytetit. Konjufca bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në disa fshatra të Gollakut dhe të regjionit të Prishtinës.

Kreu i Kuvendit nderoi të rënët që prehen në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në Makoc të Prishtinës, për të vijuar në varrezat e fshatit Ribar i Vogël të Lipjanit.

Bëhet e ditur se Konjufca, bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bëri nderim edhe te monumenti memorial i masakrës në fshatin Dyz.

Gjatë bashkëbisedimit me familjarë të të rënëve, Konjufca tha se pa sakrificën e dëshmorëve e të martirëve liria dhe shteti i Kosovës nuk do të arriheshin.

“Të gjitha këto masakra janë akte të qarta të gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijë, gra e pleq. Për të gjitha këto krime asnjëherë nuk do të pushojmë së kërkuari drejtësi”, tha kryetari Konjufca.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume