“Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese nuk duhet të jetë i ngarkuar me çështjen nëse do të sigurohet ose jo shumicë e nevojshme Parlamentare për futjen e komunitetit bullgarë në Preambulë”.
Kështu thotë në një prononcim për PRESSonline.al, anëtari i grupit të punës të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet kushtetuese, profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari.

“Mendoj se grupi i punës nuk duhet të jetë i ngarkuar me sigurimin e shumicës së nevojshme në Parlament sepse legjitimiteti i çdo procesi të ndryshimeve kushtetuese nuk varet nga zgjedhjet parlamentare, por nga diskutimi publik i propozim zgjidhjeve, ndërkaq Parlamenti e siguron legalitetin e tërë procesit. Dihet se, në vitin 2014 u propozuan disa projekt amendamente kushtetuese që edhe pse i kaluan të gjitha fazat procedurale, dhe ekzistonin të gjitha shumicat e nevojshme, megjithatë ato nuk u miratuan”, deklaroi Shasivari për PRESSonline.al

Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese pritet të mbajë nesër mbledhjen e parë. Nga Ministria e Drejtësisë për PRESSonline.al konfirmuan takimin, por nuk japin detaje shtesë se si do të vijojë puna.

Grupi punues i ekspertëve, siç informojnë nga Ministria e Drejtësisë, do të përbëhet nga Sali Murati – ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Margarita Caca Nikolovska – ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Bajram Pollozhani – ish-gjyqtar kushtetues, Branko Naumovski – ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Shasivari – profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, Ana Çupeska – profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”, Elena Mihajlova Stratilati – profesoreshë në Fakultetin “Justiniani i Parë” Besa Arifi – profesoreshë në Universitetin e UEJL-së, Jagoda Mitrevska – profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar Sllav dhe Maria Pandevska – profesoreshë në Institutin e Historisë Kombëtare.

Partitë propozuan Cvetanka Ivanovën nga LSDM, Arbër Ademi nga BDI, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët, Sonja Mirakovska nga NSDP, Nano Ruzhin nga PLD, Hrista Najdanov nga DM, Temelko Risteski nga Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqi nga PDSH, Eran Kurtish nga Partia Lëvizja e Turqve dhe Bexhan Iljas nga Partia Demokratike e Turqve.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com