Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në PABSEK, i kryesuar nga Lidija Tasevska, në përbërjen e të cilit janë edhe anëtaret Vjollca Ademi dhe Bllagica Llasovska, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova, marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 61-të të Pranverës të Organizatës së Detit të Zi për Bashkëpunim Ekonomik (PABSEK), që mbahet më 4 dhe 5 maj në Ankara, të organizuar nga Asambleja e Madhe Nacionale e Turqisë.
Me rastin e 30-vjetorit të ekzistencës së PABSEK-ut, u mbajt Samiti i Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të PABSEK-ut, në të cilin mori pjesë edhe Kryetari ynë, Talat Xhaferi.
Në sesionin dyditor, pjesëmarrësit do të diskutojnë një sërë çështjesh që lidhen me organizatën dhe funksionimin e PABSEK-ut.
Gjatë diskutimit në pjesën e përgjithshme, me temën: “Roli i diplomacisë parlamentare në ndryshimin e dinamikës globale: zhvillimi, paqja dhe stabiliteti”, Lidija Tasevska theksoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut luan rol të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet e tjera dhe duke kontribuar në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin rajonal dhe global. Pjesëmarrja e Kuvendit në diplomacinë parlamentare përfshin
aktivitete të ndryshme, të tilla si takimet ndërparlamentare, konferencat ndërkombëtare dhe format e tjera të angazhimit.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut gjithashtu luan rol të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Si anëtar i rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kuvendi është i përfshirë në mënyrë aktive në iniciativat dhe programet që synojnë forcimin e bashkëpunimit rajonal, promovimin e zhvillimit ekonomik dhe zgjidhjen e kontesteve përmes dialogut dhe negociatave.
Tasevska, në cilësinë e saj si anëtare, gjegjësisht nënkryetare e Komisionit për Çështje Juridike dhe Politike, gjatë diskutimit me temën: “Roli i parlamenteve në avancimin e sigurisë ekonomike në vendet anëtare”, deklaroi se siguria ekonomike ka rëndësi thelbësore për shoqërinë e qëndrueshme dhe të begatë dhe parlamentet luajnë rolin më të rëndësishëm në sigurimin e saj. Kuvendi, nëpërmjet miratimit të zgjidhjeve të duhura ligjore, i përcakton rregullat dhe kufijtë brenda të cilëve sigurohet edhe siguria ekonomike e vendit.
Vjollca Ademi, si anëtare e Komisionit për Çështje Ekonomike, Tregtare dhe Financiare, njoftoi për Raportin për rolin e parlamenteve në përmirësimin e sigurisë energjetike në vendet anëtare. Ajo tha se energjia është baza e zhvillimit dhe stabilitetit socio-ekonomik, si dhe parakusht i rëndësishëm për ekzistencën njerëzore. Siguria energjetike, si parakusht themelor për rritjen ekonomike, e garanton sigurinë nacionale. Në këtë kohë, theksoi ajo, ofrimi i furnizimit ekologjik, të sigurt dhe të vazhdueshëm me energji është një nga prioritetet e zhvillimit ekonomik dhe social.
Bllagica Llasovska mbajti fjalim në kuadër të Komisionit për Çështje Kulturore, Arsimore dhe Sociale, me temën e rolit të mediave në zhvillimin socio-ekonomik të vendeve anëtare.
Ajo nënvizoi se mediat luajnë rol shumë të rëndësishëm në informimin, arsimimin dhe argëtimin e qytetarëve dhe mund të kenë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e tyre social dhe ekonomik. Roli i medias nuk kufizohet më në ofrimin e informacioneve, por po zgjerohet edhe në formësimin e mendimit publik, ndikimin në vendimet politike dhe promovimin e ndryshimeve sociale. Në këtë kontekst, mediat mund të luajnë rol jetik në avancimin e zhvillimit ekonomik dhe social.
Asambleja e Përgjithshme e zgjodhi Petar Kanev nga Bullgaria nënkryetar të PABSEK-ut për çështje financiare, si dhe Xhemal Ozturk nga Turqia zëvendëssekretar i përgjithshëm për çështje organizative. Në fund të seancës plenare, kryesimi i ardhshëm gjashtëmujor me PABSEK-un iu dorëzua Ukrainës.