Një punëtor nga Turqia humbi jetën pasi ra nga lartësia e një objekti që po ndërtohet në Shkup.

34 vjeçar me iniciale F.A. u dërgua me urgjencë në klinikën “Nënë Tereza” por nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve.

Aksidentin e konfirmuan edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Nga një objekt në ndërtim në zonën e Qendrës me lëndime ka përfunduar punëtori F.A (34) nga Republika e Turqisë, me qëndrim të përkohshëm në Shkup, i cili është dërguar në Klinikën “Nënë Tereza” për dhënien e ndihmës mjekësore. Nga lëndimet e mara, F.A pak më vonë ka ndëruar jetë. Ekip i SPB Shkup ka kryer mbikëqyrje në vendin e ngjarjes ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit është dorëzuar për autopsi”, thonë nga MPB.

Ligji për siguri dhe shëndet në punë parasheh që punëtori të mund të refuzojë të kryejë aktivitete pune nëse nuk i plotësohen të gjitha kushtet e sigurisë dhe i rrezikohet jeta. Po ashtu punëtorët janë të detyruar t’i mbajnë pajisjet apo uniformën mbrojtëse gjatë punës. Por sa respektohen këto rregulla?

TV21 dërgoi pyetje deri te kompania tek objekti i së cilës ndodhi aksidenti, nëse ka viktima ka pasur mjete mbrojtëse gjatë punës, por nuk na u përgjigjën deri në fillim të këtij edicioni. Po ashtu pa përgjigje mbetën edhe pyetjet se si është i rregulluar qëndrimi i punonjësve nga Turqia dhe nga sa orë në ditë punojnë ata?

Nga Inspektorati i Punës na njoftuan që shtetasi turk ka qenë i paraqitur për punë në Maqedoni. Ka pasur qëndrim të rregulluar dhe i paraqitur në sigurimin social dhe shëndetësor. Pas incidentit, nga inspektorati kanë dalë në teren për inspektim dhe shumë shpejt do të përgatitet raport.

“Nga ana e Inspektoratit të Punës është kryer inspektim në vendngjarje të fatkeqësisë dhe pas inspektimit të dokumentacionit të dorëzuar do të përgatitet raport për gjendjen faktike dhe do të vijojë informacion i plotë. Sapo të përfundojë, informacioni do t’u dërgohet mediave”, thonë nga Inspektorati Shtetërorë i Tregut.

Kjo fatkeqësi po ndodh vetëm pak ditë pasi në vendin tonë u përkujtuan 22 viktimat në vendin e punës gjatë vitin 2022. Për ta u mbollën 22 fidanë. Sipas statistikave, vrasësi më i madh i punëtorëve është bujqësia por numër i madh vdesin edhe në ndërtimtari. Gjithashtu, sipas statistikave nga numri i përgjithshëm i punëtorëve të huaj që punojnë në vendin tonë, mbi 50% e tyre vijnë nga Republika e Turqisë.