Historiani dhe një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jusuf Buxhovi në një prononcim ekskluziv për PRESSonline.al thotë se kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje përfundimtare, e cila parasheh edhe njohje të reciproke do të arrihet në bazë të Marrëveshjes së Ohrit.

Ai thotë se Marrëveshja e Prespës e cila dha fund konfliktit disa vjeçar mes Shkupit dhe Athinës për kontestin rreth emrit të Maqedonisë, nuk mund të merret si model për një kompromis mes palëve, pasi që siç shprehet ai, “Marrëveshja e Prespës nuk ka asgjë të përbashkët me atë të Ohrit”.

“Kompromiset do të arrihen në bazë të pikave kornizë që u paraqitën në Ohër. Ato dihet se çfarë janë. Kosovës i mbetet që implementimin e tyre ta kushtëzojë me kushtetutshmërinë, pra që t’i nënshtrohen vlerësimit të Kushtetutës. Marrëveshja e Prespës nuk ka asgjë të përbashkët me atë që në Ohër, Kosovës dhe Serbisë iu paraqit në formën ultimative: merr ose le”, deklaroi Buxhovi për PRESSonline.al

Më 19 mars të këtij viti, në Ohër, Kosova dhe Serbia arritën dakordësi mbi një marrëveshje dypalëshe. Ajo edhe pse jo e nënshkruar nga dy palët në bisedime pritet që të sjell njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas marrëveshjes të (pa)kontraktuar Kosova dhe Serbia janë pajtuar të shtunën në Ohër për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dyja vendeve.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Gjersa, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë rend dite në takimin e Këshillit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, analisti thotë se marrëveshja në Ohër është fitore e BE-së dhe SHBA-së.