-Urgjentisht duhet bllokuar se dolën mendsh rinia po edhe më të moshuarit. Po të ishte për të mirë s’do ta kishim përdorur!
-Ky është një vendim shumë i mirë!
-Urgjent! Më mirë vonë sesa kurrë.
-Mos! Më parë kërkonin rrugëve, tash kërkojnë prej në TikTok. Do t’ua merrni bukë!
-Unë s’jam i pajtimit me ndalu TikTok-un për shkak se nuk do të kishim ditur numrin e budallenjve për ndryshe!
Këto janë vetëm disa komentet nga fotolajmi që TV21 publikoi me pyetjen nëse qytetarët janë për apo kundër ndalimit të TikTok-ut në Maqedoninë e Veriut. Janë mbi 1 mijë komente, e shumica janë shprehur pro mbylljes se aplikacionit TikTok. Disa prej komenteve vënë në pah edhe efektet e tjera negative që kanë dalë në sipërfaqe nga përdorimi i këtij aplikacioni.
Po sa kjo mund të bëhet realitet? Ministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratë Azir Aliu i tha TV21 se ndalimi i TikTok-ut paraqet vendim kompleks që duhet të bazohet në shumë faktorë. Shton se TikTok gjithashtu ka qenë nën vëzhgim për shkak të shqetësimeve për qasjen e qeverisë kineze në të dhënat e përdoruesve të këtij aplikacioni.
“Ndalimi i plotë i TikTok-ut mund të mos zgjidhë domosdoshmërish këto çështje, përdoruesit mund të jenë ende në gjendje të aksesojnë platformën përmes VPN-ve ose mjeteve të tjera. Në fund të fundit, vendimi nëse do të ndalohet ose jo TikTok-u duhet të bazohet në një vlerësim të kujdesshëm të rreziqeve dhe përfitimeve të mundshme dhe duhet të përfshijë të dhëna nga palët përkatëse të interesit, duke përfshirë politikëbërësit, kompanitë e teknologjisë dhe përdoruesit”, th Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratës.
Në vend të një ndalimi të plotë, Aliu thotë se më efektive mund të jetë rregullimi dhe monitorimi i platformës për të siguruar që të dhënat e përdoruesit mbrohen dhe nuk keqpërdoren. Sipas tij kjo mund të jetë gjithashtu e dobishme në parandalimin e çdo keqpërdorimi të platformës.
Ministri për Arsim dhe Shkencë Jeton Shaqiri në Facebook-un e tij ka shkruar se do t’i propozoj Qeverisë dhe autoriteteve të sigurisë një vlerësim urgjent të situatës dhe rreziqeve të sigurisë, të cilat në masë të madhe ushqehen nga disa rrjete sociale, si TikTok.
“Duke pasur parasysh se ato nuk duhet të përdoren në mjedise shkollore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë po harton protokolle dhe udhëzime për shërbimet profesionale të shkollave dhe arsimtarëve, me qëllim të minimizimit të rreziqeve, kurse përdorimi i tyre duhet të kufizohet ose të pamundësohet plotësisht”, tha Jeton Shaqiri, ministër i MASH.
Kryetarja e PLD-së, deputetja Monika Zajkova, ka paralajmëruar se do t’i propozojë Qeverisë ndalimin e TikTok-ut dhe rrjeteve tjera sociale që nxisin dhunë.
Debat për ndalimin e TikTok-ut po zhvillohen edhe në Kosovë, ndërsa shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, e kanë ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet qeveritare, për shkak të dilemave se TikTok-u mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me Qeverinë kineze.
Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, përdoret nga të gjitha moshat, por shënjestra kryesore janë të rinjtë.