Qendra shtetërore e provimeve ka ndërprerë testimin ndërkombëtar të 4.500 nxënësve të shkollave fillore për shkak të grevës për paga më të larta dhe ka lënë në paqartësi mbi 15 mijë maturantë që duhet t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore.

Mbrëmë mësuesit e klasave të katërta dhe të teta, klasat e të cilëve u përzgjodhën për testim, morën mesazhe se hulumtimi ndërkombëtar TIMSS që ishte paraparë të mbahej më 5 maj është shtyrë dhe do të mbahet pas datës 14 maj. Ky testim madhor duhet të përfundojë deri më 25 maj.

TIMMS (Trends in International Mathematics and Science Study) është një studim ndërkombëtar i matematikës dhe shkencës që mat njohuritë në klasat e katërta dhe të teta. Për këto studime shteti paguan tarifë për pjesëmarrje.