Nxënës nga fshati Opajë dhe qyteti Bayeux i Francës vizitojnë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve si pjesë e shkëmbimit të kulturave

Sot, më 18 maj 2023, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në kuadër të projektit Erasmus+, me qëllim shkëmbimin e kulturave, kishin mundësinë që të bënin vizitë një grup nxënësish të shkollës fillore “7 Marsi” të fshatit Opajë dhe nxënës të shkollës “Alain Chartier” nga qyteti Bayeux, Francë, të shoqëruar nga profesorët francezë: François Le Cardinal, profesor i letërsisë klasike, Éric Goyer-koordinator dhe Laurence Lemarié, profesoreshë e spanjishtes, si dhe ata shqiptarë: Besnik Ibrahimi-drejtor, Gëzime Ramadani- profesoreshë e frëngjishtes, Agim Murtezi- pedagog, Afrona Arifi- historiane. Gjatë kësaj vizite drejtori i Institutit, Skender Asani, bashkë me këshilltarin shkencor, Sevdail Demiri dhe hulumtuesin shkencor, Ardian Ramadani, i njoftuan mysafirët e rinj me rëndësinë, punën, por edhe me vetë objektin e Institutit.

Duke i përshkuar ekspozitat e përhershme të Institutit për Nënë Terezën, Kongresin e Drejtshkrimit dhe Kongresin e Manastirit, vizitorët kishin mundësinë të njihen me disa nga momentet dhe figurat më të rëndësishme historike për shqiptarët. Më pas, të mbledhur në sallën e madhe të konferencave Woodrow Willson, përpara publikut me nxënës dhe profesorë, drejtori Asani shprehu ndjenjat e tij të sinqerta, duke thënë se “është kënaqësi e jashtëzakonshme kur Instituti trajton konferenca shkencore për tema të ndryshme kulturore, historike e gjuhësore, por kënaqësi edhe më e madhe se kjo është atëherë kur kemi vizitorë nxënës, e në veçanti të shtetit të Francës, siç është rasti i sotëm, sepse në këtë mënyrë kemi mundësinë t’i njoftojmë ata me trashëgiminë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.”

Në drejtim të përshkrimit të marrëdhënieve mes francezëve dhe shqiptarëve, drejtori gjithashtu bëri të ditur disa fakte të rëndësishme historike, si për shembull atë se në shekullin e nëntëmbëdhjetë, shumë udhëpërshkrues dhe diplomatë francezë kanë kaluar në trevat shqiptare, e rrëfimet e tyre ndodhen në arkivat franceze, të cilat së shpejti do të vizitohen nga Instituti për të mbledhur dokumentacionin e pasur, që e ndihmon në përpjekjen për ta shkruar historinë e së kaluarës të shqiptarëve.

Poashtu edhe profesori François Le Cardinal nga Franca, u shpreh se ishte shumë i lumtur që ëndrra që kishte pasur i ishte realizuar, e kështu ishte zhvilluar një shkëmbim i mirëfilltë eksperiencash mes nxënësve të Francës dhe të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, vlerë të veçantë përmban mundësia për të krahasuar dy realitetet shumë të ndryshme të shtetit-komb mes këtyre dy shteteve, sepse kjo u ofron nxënësve një diapazon më të gjerë kuptimësie për vendet dhe kulturën e popujve. Gjithashtu, ai veçoi virtytin e mikpritjes së shqiptarëve, duke marrë parasysh edhe faktin se gjatë periudhës disaditore në shtetin tonë, nxënësit nga Franca ishin akomoduar në shtëpitë e nxënësve të shkollës “7 Marsi” në Opajë.

Në mbyllje të ngjarjes, nën moton “Njëri për tjetrin” drejtori i ndau një mirënjohje profesorit François Le Cardinal për kontributin e tij në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, si dhe dhe i dhuroi disa botime të Insitutit.