Mbrojtja e të drejtave të të gjitha komuniteteve është e rëndësisë thelbësore për stabilitetin në Kosovë dhe rajonin më të gjerë, theksoi kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas takimit të sotëm zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.
Gjatë takimit me Kryeministrin e Kosovës, Osmani e theksoi mbështetjen e OSBE-së në drejtim të krijimit dhe zbatimit të reformave në Kosovë.
“OSBE-ja do të vazhdojë t’i mbështesë reformat gjyqësore dhe zgjedhore të Kosovës, duke përfshirë edhe ndryshimet në kodin zgjedhor, e Kosova duhet plotësisht të shfrytëzojë ekspertizën dhe burimet e Misionit të OSBE-së për të avancuar zbatimin e reformave, por edhe për t’i forcuar marrëdhëniet ndëretnike dhe sigurinë“, theksoi Osmani.
Osmani bëri thirrje për qetësimin e tensioneve në veri të Kosovës
Qetësimi të tensioneve dhe deeskalim të situatës në veri të Kosovës. Kjo është thirrja e kryesuesit të OSBE-së dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas ngjarjeve të sotme.
“Si kryesues i OSBE-së, bëj thirrje për deeskalim dhe qetësim të tensioneve. Është thelbësore të ruhet paqja dhe stabiliteti. OSBE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë, dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka besimin e qytetarëve dhe institucioneve për të ofruar mbështetje”, ka shkruar Osmani.
Ai shtoi se në këtë moment ruajtja e paqes dhe stabilitetit është e një rëndësie vendimtare, duke paralajmëruar se shumë shpejt do të iniciojë sërish vizitë në Mitrovicë