Nuk më habit heshtja e zyrtarëve, as e Pendarovskit, as e Xhaferit e as Kovaçevskit, e ministrave e deputetëve, sepse atyre ju ka leverdis kjo rritje marramendëse, por më habisin përfaqësuesit e Sindikatave të arsimit e shëndetësisë, aty ku është brumi i inteligjencës që nuk protestuan, bile edhe duke dalë para Qeverisë

Nga Dr. Spec. Fatmir HASANI

“Zyrtarët marrin secili nga 1000 euro rritje pagash”, të paktën ky ishte lajmi bombastik që pushtoi edhe mediat më prestigjioze ndërkombëtare, të cilat e raportuan këtë lajm në mediat e tyre për shtetin e vogël e të brishtë. Dhe, lajmi doli i vërtetë. Po hyjmë në muajin e dytë, që kryetari i shtetit, i Kuvendit dhe kryeministri, po marrin paga më të larta për rreth 70 mijë denarë. Pagat e kryetarit të Gjykatës kushtetuese dhe të nënkryetarëve të Kuvendit u rriten për rreth 60 mijë denarë, ndërsa të ministrave dhe deputetëve për rreth 56 mijë denarë. Kjo u bë falë një vendimi më të fundit të Gjykatës kushtetuese, të datës 21 mars, e cila vendosi të rriten pagat ndjeshëm.

Edhe pse kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski ishte i vetmi nga zyrtarët që kishte protestuar kundër rritjes së madhe, edhe ai u hesht. I erdhi mirë edhe Stevës.

Nuk më habit heshtja e zyrtarëve, as e Pendarovskit, as e Xhaferit e as Kovaçevskit, e ministrave e deputetëve, sepse atyre ju ka leverdis kjo rritje marramendëse, por më habisin përfaqësuesit e Sindikatave të arsimit e shëndetësisë, aty ku është brumi i inteligjencës që nuk protestuan, bile edhe duke dalë para Qeverisë. Mjerim. Të paktën ajo që duhej bërë do të ishte shprehja e bujshme e pakënaqësisë nga financimi i pamjaftueshëm i sistemit arsimor e shëndetësor dhe të kërkojnë respektimin e rritjes së pagave edhe për ta dhe për të gjithë sektorët tjerë . Pse nuk hidhen në grevë të përgjithshme nëse qeveria nuk miraton rritjen e pagave.

Por, siç duket edhe sindikatat janë të pushtetit. Aspak nuk angazhohen për të kërkuar nga Qeveria që të sigurojë burime financiare për të gjitha kategoritë e punonjësve në arsim, shëndetësi dhe ndihmë sociale për kategori të caktuara të popullatës së papunë.

Në këtë situatë që ndodhen mijëra punonjës, është Sindikata ajo që duhet të kërkojë që bazat e pagave dhe shtesat për të gjithë punonjësit të rriten. Nuk duhet harruar se sidomos sistemi shëndetësor dhe kuadri tjetër profesional po preket gjithnjë e më shumë nga mungesa e burimeve njerëzore, pasi po largohen drejt Perëndimit për një pagë dhe një jetë më të dinjitetshme.

Ky sistem nuk mund të funksionojë me staf tepër të pakët dhe të pamotivuar punonjësish. Me veprimet e fundit, vetë shteti po i nxitë trazirat sociale për shkak të pakënaqësisë ekstreme të qytetarëve. Kjo pakënaqësi është shkak i mjaftueshëm për qytetarët e braktisur të këtij vendi që të ngrenë zërin e tyre për skamjen dhe mjerimin në të cilin janë zhytur pa fajin e tyre. (koha.mk)