Ish-presidenti dhe ish kryeministri Branko Cërvenkovski sot në ngjarjen në të cilën mori pjesë edhe Këshilli i Ambasadorëve, kritikoi për procesin e ngadaltë eurointegrues të Ballkanit Perëndimor.

Metodologjia e re për negociata të cilën e propozoi Franca, sipas tij, nuk ka rezultate sepse procesi ose qëndron në vend ose ka progres simbolik dhe se Maqedonia e Veriut problemin nuk duhet ta shohë vetëm nga aspekti i çështjes me Bullgarinë por edhe më gjerë. Branko Cërvenkovski, ish kryeministër dhe president i Maqedonisë, sot para Këshillit të Ambasadorëve ka folur për procesin eurointegrues të vendit.

Sipas tij, nevojitet strategji e re për integrime evropiane, rajoni duhet të kërkojë nga Brukseli qasje në tregun e përbashkët dhe fondet evropiane. “Ne, vendet kandidate për anëtarësim, t’i ndihmojmë BE-së që të përcaktojë një strategji më të qartë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe procesit të integrimit të tij. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast që para jush, por edhe para publikut, ta promovoj një ide për një iniciativë të tillë që për mendimin tim, meriton vëmendje.

Çfarë është ajo gjë, që në këtë fazë për ne vendet e Ballkanit Perëndimor është më e rëndësishme, dhe njëherit nuk ndërhyn në vendimmarrjen tashmë të komplikuar në kuadër të BE-së? Kjo është qasje në tregun e përbashkët dhe në fondet evropiane.

Thënë më drejtpërdrejt, iniciativa do të kishte të bënte me realizimin e këtyre dy qëllimeve. Do të përmend, që të mos ketë asnjë keqkuptim, kjo nuk do të ishte ndonjë alternativë apo zëvendësim i anëtarësimit të plotë në BE. Përkundrazi, do të ishte një hap i ndërmjetëm ose fazë kalimtare që do të lehtësonte realizimin e këtij qëllimi”, tha Cërvenkosvski.

Kryediplomati i vendit, Bujar Osmani ka kohë që në paraqitjet publike dhe takimet me ndërkombëtarët forcon idenë e integrimit para anëtarësimit. Ministri Osmani edhe në PFD 2023, përsëriti qëndrimin e tij rreth integrimit në BE dhe metodologjinë e re. “Shumë propozime për injektimin e përmbajtjes së re për sa i përket mundësive që i ofron metodologjia e re.

E quajtëm – më shumë integrim para anëtarësimit, që do të jetë më i dukshëm dhe më i prekshëm për qytetarët tanë, andaj inkurajon shpalljen e Planit të ri të Zhvillimit nga Presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, i cili deri në vjeshtë do të operacionalizojë disa nga këto mundësi”, tha Osmani.