Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se i ka shprehur asaj shqetësimet për humbjen e besimit të partnerëve dhe ndëshkimet që sipas tij po merr vendi.

Haradinaj tha se presidentes i ka kërkuar që të veprojë në përputhje me mandatin e saj, të kthejë besimin e aleatëve dhe të ndodh deeskalimi i situatës në veri të vendit.

“Biseda ishte e hapur, i shpreha shqetësimet për situatën, shqetësimet e mija për humbjen e besimit të partnerëve tanë, për ndëshkimet që po merr Kosova, për vështirësitë që do t’i kemi nëse nuk dalim nga kjo gjendje. I kërkova Osmanit që të veprojë në përputhje me mandatin e vet, që ta kthejë besimin me aleatët tanë, të ndalen ndëshkimet, të ndodh një deeskalim i situatës në veri, t’i kthehemi te arriturave të dialogut, marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit”, është shprehur Haradinaj.

Tutje theksoi se fitoret e Kosovës nuk janë të mundura pa mbështetjen e aleatëve.

“Nuk është kohë e kalkulimeve të vogla, mocioni ynë nuk ka të bëjë me luftë për pushtet, nuk jam kandidat për kryetar qeverie pas mocionit, deri në zgjedhjet e ardhshme, ka të bëjë më shumë me ruajt shtetin, me i ndalë ndëshkimet ndaj Kosovës, dhe me rikthy normalitetin në vend, në veri”, deklaroi Haradinaj para mediave.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume