I nderuari Fetahi,

Miku i jua është ai që ua thotë të vërtetën, e jo ai që për gjithçka që të veprosh të thotë: e bëre të vërtetënH. Aliju r.a.

I nderuari Fetahi, fillimisht më vjen keq se jam i detyruar që komunikimin me ju ta zhvillojë në këtë formë, përmes kësaj letre të hapur, meqë komunikimi im i drejtpërdrejtë me ju, në raste të shumta, e veçanërisht në dy vitet e fundit, ku kam bë përpjekje maksimale që me fjalë të sinqerta dhe argumente autentike për të penguar narcisizmin tuaj dhe intencën tuaj të burokratizimit të BFI-së, përpjekje jo vetëm që nuk dha rezultate, por përkundrazi, ngriti neveri te ju dhe filluat të çaprazoni, derisa arritët në nivelin që keni rënë tani!

I nderuari Fetahi, “do të ishte më mirë për ty sikur të kishe thënë, kur hyre në kopshtin tënd: “Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut” El Kehf, 39,  sepse siç thonë njerëzit e dijes kjo shprehje e  përzë vetëpëlqimin, por ju, këtë këshillë hyjnore e injoruat dhe ratë pre e vetëpëlqimit për të cilin imam Maverdi thotë: “Vetëpëlqimi i fshehë mirësitë, i shfaqë mangësitë, dhe e largon njeriun nga gjërat e vlefshme”. Pasojë e vetëpëlqimit është mendjemadhësia, mos përfitimi nga këshillimi dhe konsultimi, mungesa e vetëpërmbajtjes, dobësia e vetëdijes, shprehja e arrogancës, apo siç thotë Aliu r.a. “Vetëpëlqimi, është e kundërta e së drejtës dhe dështim i të mençurve”.

I Nderuari Fetahi, për tërë këtë, nëse juve ju ka goditur amnezia unë nuk kam kohë të amplifikojë me ju, por vetëm ju përkujtoj në pika të shkurta. Kur ju z. Fetahi, ishit mbuluar me lëkurën e qengjit, kur kishit nevojë për ndihmën tonë, ne ju besuam dhe ua mundësuam duke mos menduar fare se brenda lëkurës së qengjit gjendet ujku i tërbuar. Ne besuam në maskën tuaj duke menduar se kjo është fytyra juaj e vërtetë, por thjesht u mashtruam! Besuam sepse nuk e dinim se ju ishit futur në hipotekë dhe kishit shitur çdo gjë që posedoni nga thesari i juaj, vetëm që të ushtroni postin e Reisit, dhe ia arritët, por dështuat. Dështuat pikërisht në momentin kur Muftiu i Shkupit z. Qenan ef. Ismaili, në praninë E anëtarëve të Rijasetit ju tha: citoj: “Pse nuk plotëson premtimet, e keni rrejtur njeriun, pse nuk e bëni sekretar gjeneral”. Të tjerëve na u rrëqethë  lëkura, por fatkeqësisht koha dëshmoi të vërtetën.

Ju me fjalët tuja, na premtuat se në radhët e BFI-së do të ketë transparencë, funksionim të ligjit, liri të shprehjes, funksionim të mirëfilltë të institucioneve, ndryshime kushtetuese dhe rregullim të akteve normative tjera komfor kushtetutës, ne fatkeqësisht ju besuam pa kushte, por u mashtruam mjeshtërisht nga ju! Ju zotëri Fetahi, filluat të merreni dhe paskeni qenë maestro i manipulemve dhe përçarjeve, por keni harruar se “gënjeshtra përveç se i ka këmbët e shkurta” nuk është cilësi e besimtarit islam, sepse Pejgamberi a.s. thotë: “Muslimani nuk gënjen”. Ju që disa herë, me gojën tuaj keni dëshmuar pa kurrfarë imponimi nga ndonjë faktor i jashtëm, se: citoj: “Unë sa herë që kam ndonjë problem, shkojë në Mekë ose Medine, ulem me Pejgamberin a.s. në kafe, pimë nga kafe bashkërisht dhe ai mi zgjidhë problemet”!  Paramendo, se ku ka arritur imagjinata juaj! Megjithatë, meqë takimet tuaja aq të shpeshta në Mekë dhe Medinë me Pejgamberin a.s. siç pretendoni ju, paske harruar ta pyesësh për një çështje: Cila është dispozita e rrenës sipas Islamit?!

  1. Fetahi, akti i juaj i fundit i formuluar në formë të vendimit, protokolluar me nr. 02-254, i marrë pas mesnatës së 21 dhe 22 Majit 2023, kinse për sistemimin e vendit të punës sime, mund të jetë vetëm dëshmi e shprehjes së mllefit tuja dhe atyre dy bashkëpunëtorëve tuaj lojal (për të cilët disa herë na keni thënë: citoj: “janë hajdutë që i kam zënë në vepër, por pasi kanë ardhur tek unë, janë nënshtruar nën këmbët e mia duke qarë, i kam falur!!! Ti e di mirë cila ka qenë përgjigja ime në këtë rast, nëse ke harruar ta përkujtoj herën tjetër.

Pra, ju i nderuar, nuk keni synuar sistemimin e vendeve të punës në bazë meritokracisë e as vlerave të nëpunësit fetar në BFI, sepse në të vërtetë ju praktikisht po dëshmoni se, as që e kuptonin nocionin “sistemim” në aspektin juridiko-administrativ, porse thjesht keni vepruar me shushurimat e suflerëve tuaj të cilët thjesht ju kanë përbaltur keq. Po të dinit të bënit sistemim cilësor e të ndershëm, hapin e parë do inicionit sjellje të rregullores për sistemim e cila ju mungon, e pastaj do të kryenit sistemimin e pensionerëve (që unë u dëshiroj shumë shëndet e të mira në jetë), e më pas për inkuadruar kuadro të reja, do ta bënit, por tragjedia dhe fatkeqësia e juaj pse nuk mund ta merrni këtë vendim për sistemim është se disa prej tyre janë të lidhur me rrethin tuaj, andaj nuk mund ta bëni. Nëse jo, dëshmoni të kundërtën, por ju keni dëshmuar disa herë, me gojën tuaj, se Kushtetuta është një copë letër, e ne duhet të organizohemi ndryshe!!! Lideri i mirë, vizionar e largëpamës, nuk i bënë reformat e sistemimit ditën e diell edhe atë në ora tre të natës. Ky është akt i frikacakëve që nuk kanë guxim të ballafaqohen me të vërtetën!

  1. Fetahi, meqë keni shpallur veten Monark, i cili me një të rënë të lapsit ndryshon çdo gjë, ju përkujtojë se, për mua keni harruar edhe një çështje shumë të rëndësishme, e që është, të sillni një vendim dhe me lapsin tuaj magjik të shpallni të pa vlefshme tërë veprimtarinë time 27 vjeçare në Institucionin e BFI-së, në funksione të ndryshme dhe njëkohësisht të shpallni të pa vlefshme edhe tërë veprat e mia të botuar mbi dyzet sosh, dhe kështu do të ju mbajë mend bota më mirë se çfarë kalibri jeni ju!.

Si do qoftë i nderuari Fetahi, këtu nuk mbaron asgjë, këtu është vetëm fillimi, ne do të vazhdojmë komunikimin me ju përmes shkresave, nëse ju nuk përcaktoheni për forma tjera të komunikimit, siç janë komunikimi i drejtpërdrejtë, debat në zyrë, para masës, në ekrane e kudo që të përcaktoni ju, edhe pse ju shfrytëzoni forcën tuaj autoritative të ma merrni fjalën, si në mbledhjen e fundit që ma morët të drejtën të flasë e të shprehi mendimin tim, por deri në përcaktimin tuaj, për mua kjo ngelë e vetmja formë e komunikimit, dhe këtu kam bindje se lapsin nuk do të mund të ma merrni asnjëherë.

Për në fund i nderuari Fetahi, ndjenja ime është e qetë elhamdulilah, nuk e di për ju, por unë besoj fortë në burimet dhe parimet islame se, zullumqari nuk mund të jetë i qetë. Ju këshilloj si njeri institucional me këshillën e Pejgamberit a.s. ku thotë: “Frikohuni nga lutjet e të dëmtuarit”.

 

Deri në shkresën tjetër.

Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.

Jusuf  Zimeri,

Udhëheqës i sektorit Fetaro Arsimor pranë BFI-së në RMV.