Delegacioni i Grupit të Miqësisë Kosovë – Maqedonia e Veriut e Kuvendit të Republikës së Kosovës po qëndron sot për vizitë në Shkup, me ç’rast realizuan takime të ndara me Grupin Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, si dhe me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Delegacionin e Kosovës e udhëheq kryetarja e Grupit të Miqësisë, Ganimete Musliu, në përbërje të të cilit janë edhe deputetja Vlora Dumoshi dhe Florian Qehaja, ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, në fillim të takimit, Afrim Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim, u shpreh i kënaqur me realizimin e vizitës kthyese, e cila është konfirmim i bashkëpunimit të frytshëm dhe të shpeshtë mes parlamenteve, me vizita dhe takime të shumta në të dy vendet fqinje.

Marrëdhëniet midis të dy vendeve dhe bashkëpunimi parlamentar u vlerësuan të shkëlqyera.

Në takimin, siç thuhet në kumtesë, Maqedonia e Veriut ofron mbështetje për rrugën integruese të Kosovës në BE dhe në Aleancën e NATO-s, si dhe brenda organizatave ndërkombëtare.

Bashkëpunimi ekonomik, siç u tha, është nxitje shtesë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, lidhjen infrastrukturore, si dhe për rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të pikave kufitare, me vendosjen e kontrollimeve të përbashkëta, të cilat do të lehtësonin komunikimin midis qytetarëve të të dy vendeve dhe komunitetit të biznesit.

Kryetarja e Grupit të Miqësisë e Kosovës, Musliu theksoi se hapi i ardhshëm duhet të jetë organizimi i konferencës së përbashkët në të cilën do të prezantohet strategjia për bashkëpunim ndërmjet të dy parlamenteve.

Në takimin e radhës, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të RMV-së, Antonio Milloshoski, tha se vendet e rajonit duhet t’i përkushtohen edhe më shumë bashkëpunimit rajonal, duke pasur parasysh sfidat dhe kohëzgjatjen e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Ai theksoi se theks i veçantë duhet t’i kushtohet bashkëpunimit ekonomik, me qëllim të krijimit të rajonit më perspektiv, si parakusht për mbajtjen e të rinjve dhe personave të kualifikuar në vendet e tyre.

Milloshoski uroi koleget e tij kosovare për liberalizimin e vizave me BE-në, ndërsa kryetarja e Grupit të Miqësisë, Musliu, tha se përfitimet nga kjo duhet t’u afrohen dhe t’u shpjegohen qytetarëve të Kosovës.

Musliu tha gjithashtu se takimet e tilla nuk duhet të mbesin thjesht protokollare, por që deputetët e të dyja vendeve duhet të dalin me ide për thellimin e bashkëpunimit.

Deputetja Dumoshi, nga ana tjetër, theksoi se Kosova, si shtet i ri, e mirëpret shkëmbimin e përvojave me Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në pjesën e proceseve integruese dhe politikës ndërkombëtare.

Në takimin e anëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane dhe Delegacionit të Grupit të Miqësisë Kosovë – Maqedonia e Veriut, u theksua se të dy vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyer në planin kulturor, politik dhe ekonomik.

Kryetari i Komisionit, Arbër Ademi, tha se Republika e Maqedonisë së Veriut ka qëndrim afirmativ ndaj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në të gjitha iniciativat dhe forumet ndërkombëtare dhe rajonale. Ai theksoi se përveç shkëmbimit intensiv tregtar dhe ekonomik, të dy vendet kanë të përbashkëta edhe aspiratat evropiane dhe në këtë drejtim ka përshëndetur vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas Ademit, detyra më e rëndësishme që Kuvendi duhet të përmbushë janë ndryshimet kushtetuese. Ai shpreson që të gjithë deputetët, si nga pozita dhe nga opozita, të mos bllokojnë të ardhmen evropiane të vendit.

Me këtë rast, Musliu theksoi se mbështetja që Kosova merr nga Maqedonia e Veriut është shumë e rëndësishme, sepse për momentin vendi ka nevojë për të gjithë miqtë. Sipas saj, vendet e rajonit duhet të largohen nga fjalori politik që ndonjëherë dëmton interesat e shteteve.

Delegacioni i Kosovës pranoi ftesën e kryetares së Klubit të Deputeteve, Lolita Ristova, për të marrë pjesë në konferencën rajonale me temën “20 vjet përvojë në politikat gjinore”, që duhet të mbahet prej 22 deri më 24 qershor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.