30 ditë paraburgim për Sefer Nasufin, i cili plagosi rëndë shefin e policisë së Strugës Dritan Ajro. 44 vjeçari, nga fshati Veleshtë i Strugës do të përgjigjet për veprën penale tentim për vrasje. Prokuroria zbardhi detajet rreth incidentit të një dite më parë. “Derisa viktima ishte në veturën e tij, i dyshuari e ka parakaluar në afërsi të Qendrës mjekësore në Strugë dhe e ka parkuar makinën paralelisht me të. Fillimisht ka filluar t’i bërtiste dhe ta kërcënonte me armë se do ta vriste, duke akuzuar shefin e policisë se ka dërguar vazhdimisht policë për ta ndjekur. I dëmtuari ka dalë nga automjeti dhe mes tyre ka ndodhur një përleshje e shkurtër fizike, pas së cilës kalimtarët i kanë ndarë. Viktima ka hipur në veturë për të thirrur policinë, por në atë moment i dyshuari ka parkuar veturën pas tij, ka dalë me thikë në dorë dhe e ka prerë nën nofullën e poshtme në drejtim të qafës, me gjatësi 11 dhe thellësi prej 5 centimetrash. Menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Strugë propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, sepse ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit mbi viktimën dhe dëshmitarët si dhe ta përfundojë tentativën për vepër penale.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume