Sot është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 58-të e Policisë së Kosovës. Akademisë policore e përfunduan 419 policë, të cilët do t’i bashkohen forcave të rendit.

Të pranishëm në ceremoninë e diplomimit ishin edhe krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Në fjalën e saj, Osmani tha se është e lumtur që në mesin e 419 policëve të rinj, janë edhe 85 policë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë dhe 47 vajza e gra, teksa falënderoi edhe policët në veri.

“Të gjithë se bashku, të shprehim edhe një herë falënderimin me policët dhe policet tona që po shërbejnë në veriun e vendit tonë për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të Kosovës”, tha Osmani.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës është vijimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Policia jonë është vijimësi e UÇK-së. Liria jonë ka ardhur pas sakrificave të brezave të tërë për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të jeni pjesë e historisë së vendit tonë dhe përpjekjeve tona për ta forcuar Republikën tonë”, tha Kurti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume