Në 247 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, analistët nga Maqedonia e Veriut besojnë se vendi duhet të ruajë miqësinë strategjike me Uashingtonin dhe se kjo duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të vendit, përcjell PRESSonline.al. Xhabir Derralla, kryetar i CIVIL – Qendrës për Liri, thotë se të shumta janë përfitimet nga miqësia që SHBA kultivon ndaj Maqedonisë së Veriut.

“SHBA janë miqtë e vërtetë të vendit tonë. Vendi ynë është i vogël, pa dalje në det, ka burime të kufizuara natyrore dhe njerëzore dhe vetë pozicioni gjeografik, megjithëse jo i parëndësishëm, nuk luan një rol të madh në një kontekst më të gjerë. Thjesht, SHBA-ja shumë kohë më parë, e sidomos pas pavarësisë nga RSFJ-ja në vitin 1991, mori vendim për të ndihmuar shtetin e vogël dhe të ri maqedonas që të formohet dhe të mbijetojë. Ka përfitime të shumta nga miqësia që SHBA kultivon ndaj Maqedonisë së Veriut”, thotë Derralla.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë aty për Maqedoninë e Veriut për ta ndihmuar atë të tejkalojë sfidat e ashpra politike dhe të sigurisë.

“Ata e ndihmojnë vendin të qëndrojë në këmbë si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Proceset integruese demokratike dhe euroatlantike të Maqedonisë janë të paimagjinueshme pa mbështetjen e SHBA-së dhe demokracive të tjera perëndimore. Në ditët e sotme, kur vendi është nën një valë të fortë propagande dhe sulmesh hibride nga Rusia dhe qendrat e tjera liberale të pushtetit, përfitimet e miqësisë dhe mbështetjes amerikane janë më se të dukshme”, shtoi Derralla.

Nga partneriteti strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së që të dyja vendet përfitojnë në aspektin e promovimit të bashkëpunimit afarist, zvogëlimit të barrierave tregtare dhe investimeve dhe bashkëpunimit intensiv në kuadër të NATO-s, thotë ambasadori Gjorgi Filipov.

“Kjo nënkupton një rritje të asistencës së Qeverisë amerikane për vendin për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE përmes zhvillimit të zgjeruar ekonomik dhe reformave demokratike në të gjitha sferat e nevojshme për atë proces. Por, tregtia nuk është e madhe, është rreth 350 milionë dollarë, ku SHBA-ja eksporton makineri dhe pajisje elektrike dhe importon duhan, rroba, hekur dhe çelik”, thotë Filipov, përcjell PRESSonline.al

Filipov shton se partneriteti strategjik nënkupton edhe bashkëpunim mes dy vendeve në nivel ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Kartën e Adriatikut, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Organizata e Tregtisë Botërore dhe NATO.

“SHBA-ja, gjegjësisht ndërmjetësi në procesin e negociatave mes Greqisë dhe Maqedonisë, ambasadori Matthew Nimitz, kontribuoi shumë në përfundimin e Marrëveshjes së Prespës, e nënshkruar me Greqinë në qershor 2018 dhe e ratifikuar nga të dyja vendet në janar 2019, e cila zgjidhi çështjen e emrit mes palëve, hapi derën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Në kuadër të partneritetit strategjik, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut në procesin e përgatitjeve për anëtarësim në BE duke lehtësuar dhe inkurajuar aksesin ,duke vepruar ndaj palëve të interesuara, të cilët mund ose jo ta ndalojnë atë proces në nivel vendor dhe ndërkombëtar. “, thotë ambasadori Filipov, përcjell PRESSonline.al

Ndryshe, kryeministri maqedonas, Dimtar Kovaçevski, i cili ka dërguar një mesazh urimi për qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka shkruar se mbështetja nga Shtetet e Bashkuara, të cilët janë partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, është jashtëzakonisht e rëndësishme për përparimin e vendit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë strategjik, mbështetjen e të cilit në të gjitha sfidat nga pavarësia e deri më sot, duke përfshirë mbështetjen e paekuivoke për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e vlerësojmë shumë. Angazhimi i përbashkët për demokracinë, për lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut, për ndërtimin e shoqërive të forta demokratike është baza mbi të cilën miqësia dhe partneriteti ynë do të vazhdojë të zhvillohet dhe forcohet politikisht dhe ekonomikisht, por edhe të bashkuar në anën e drejtë si aleatë në NATO”, thuhet në urimin e kryeministrit Kovaçevski, përcjell PRESSonline.al

Kryeministri Kovaçevski thotë se kontributi i SHBA-së është i madh në pjesën e intensifikimit të procesit reformues për demokratizimin e mëtejmë të shoqërisë maqedonase, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, që është një inkurajim i rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.