Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka dhënë detaje për diskutimet e bëra në takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Konjufca tha se me të biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë, derisa shtoi se ndihma e Shqipërisë është e pazëvendësushme për Kosovën dhe se kryeministri Rama mund të bëjë shumë më shumë sesa që po bën aktualisht.

Konjufca tha se nga Rama ka kërkuar të mos e shoh Kosovën si fajtore, por si një vend që kërkon rend dhe ligj.

“Ne biseduam për zhvillimet në vend, për situatën politike, për ndihmën që e presim nga Qeveria Rama, për të gjitha këto procese të vështira që po kalojmë. I tregova që ndihma e Shqipërisë është e pazëvendësueshme dhe Rama mund të na ndihmojë shumë më shumë se po e bën aktualisht, që Republikën e Kosovës, në përpjekjet tona që janë shtetërore dhe kushtetuese, për të vendosur rend dhe ligj, të mos e shohin Kosovën fajtore, këtu nuk ka fajtor, këtu mund të ketë përgjegjësi”, ka thënë ai.

Konjufca u shpreh se me Ramën është takuar, sepse Kosova, sipas tij, nuk ka probleme shtetërore me Shqipërinë. Ai shtoi se problemet kanë ardhur nga Shqipëria, me anulimin e mbledhjes së dy qeverive, sipas tij, pa ndonjë arsye.

“Rama ishte i shqetësuar sa i përket presionit ndërkombëtar, por mua ma la përshtypjen se ai po e përjeton presionin më shumë se ne. Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë, ata pa kurrfarë arsye madhore e anuluan një mbledhje të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, mbledhjen e dy qeverive. Nuk mendoj që është hakmarrje”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri Rama nuk pranoi të flasë para media, kalimthi ai tha se “Nuk kam homolog, s’kam si të mbajë konferencë”.