Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe këshilltarin e tij politik, Jeton Zulfaj, priti sot në zyrën e tij emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, i cili erdhi për takim së bashku me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, dhe bashkëpunëtorët e tij Christian Ramet e Mikko Väyrynen, ka njoftuar zyra e kryemnstrit, të martën.

Më pas kjo zyre jep detaje se çka bisedoi Kurti me Lajçakun në takim, ku Kurti ka thënë se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.

“Në fillim të këtij takimi, Kryeministri Kurti potencoi që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik. Në vijim, ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim. Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon asesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve”.

“Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore. Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet”, thuhet në komunikatë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume