Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të zhvillojë një tur në vendet e Ballkanit Perëndimor në datat 6 dhe 7 Korrik. Të enjten Rama do të qëndrojë në Shkup, ndërsa do të vazhdojë vizitat e tij edhe në Prishtinë, Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë. Turi i kryeministrit të Shqipërisë do të bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të ardhmes së “Ballkanit të Hapur”. Kjo iniciativë e Ramës vjen vetëm disa ditë pasi deklaroi se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin e tij dhe duhet të vazhdohet Procesi i Berlinit. Për këtë deklaratë të kreut të shtetit shqiptar deri më tani ka reaguar presidenti serb Aleksandër Vuçiq i cili u shpreh se “Nuk beson se Rama e ka thënë këtë pasi sipas tij, Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani. Por ende nuk ka një qëndrim zyrtar edhe në autoritetet në vend. Kërkuam qëndrim nga Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani, por nga ai dhe kabineti i tij nuk morëm përgjigje për këtë temë. Ndërsa kujtojmë se ai edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti mbronin me bindje konceptin e Ballkanit të Hapur, madje i bënin thirrje të vazhdueshme edhe Kosovës që të jetë pjesë e kësaj iniciative, duke theksuar se “nuk mbahet hasmëri gjithë jetën”.

“Ne na duhet një pajtim mes kombit shqiptar dhe kombit serb, ose të vendosim a do hakmerremi dhe çka na vendos hakmarrja. Këtu kemi dy rrugë, të tretë nuk ka. kush është më i forti apo do e përsërisim edhe njëherë historinë dhe kush është më i forti”, tha Ali Ahmeti, BDI.

Kundër Ballkanit të Hapur në Maqedoni vazhdimisht është shprehur opozita shqiptare. Edhe sot kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami deklaroi se është mirë që kryeministri Edi Rama e kuptoi se Ballkani i Hapur e ka përmbyllur misionin.

“Edhe pse sinqerisht nuk e dimë se cili ka qenë misioni i Ballkanit të Hapur duke qenë në të njëjtën kohë edhe Procesi i Berlinit. Jemi të lumtur që edhe Shqipëria ti bashkohet Procesit të Berlinit dhe vendet e Ballkanit Perendimor, sa më shpejtë, duke shfrytëzuat edhe këtë iniciativë të BE-së, të jenë anëtare fuqiplote me të gjitha vendet tjera të BE-së”, u shpreh Bilall Kasami, Lëvizja BESA.

Iniciativa e Ballkanit të hapur u nënshkrua në tetor të vitit 2019 nga presidenti Serb, Aleksandar Viçiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut. Zoran Zaev. Kësaj iniciative refuzuan ti bashkohen, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qëllim i Ballkanit të Hapur ishte rritja e bashkëpunimit tregtar dhe bashkëpunime në shumë sfera të tjera. Në përpjekje për të zbatuar qëllimin e iniciativës krerët e tre shteteve u nënshkruan dhjetëra memorandume dhe marrëveshje bashkëpunimi në sferën e tregtisë, qarkullimit të mallrave, arsim dhe në sfera të tjera. Por deri më sot asnjëra nga këto marrëveshje nuk arrit të zbatohet në praktikë dhe të jap rezultate të dukshme.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com