“Halli të çon të besosh në çdo gjë, aq më shumë kur ke dhembje dhe sistemi shëndetësor është jofunksional siç është ky yni, andaj porosita barna kundër dhimbjes së gjurit nga ato që reklamohen online”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Maja Nikollovska, e cila punon si floktare.
“Kremrat, barnat, si të tilla tjetër gjë reklamohet në internet dhe krejtësisht diçka tjetër të vjen si porosi. Unë nuk u besoj reklamave në internet, por shfaqja e mjekëve të njohur pas shitjes së produktit bëri që të blej barna, edhe atë jo një po tri kuti, pasi kishte ulje shumë të madhe nëse i merrje dy pako e treta të vinte falas”, tregon ajo.
Pasi e ka marrë produktin, Majas i ka lindur dyshimi nga fakti se në kutinë e barnave nuk ka pasur asnjë sqarim për përmbajtjen barnave.
“Paratë që pagova për barnat shkuan dëm. Doja t’i ktheja, por askush nuk më përgjigjej në faqen në Facebook ku i kisha porositur. Kështu që më mbeten barnat në sirtar pasi kisha frikë t’i përdorja”, thekson Maja Nikollovska.
Produktet mjekësore reklamohen përmes intervistave të rrejshme me mjekë të njohur
Për të qenë më të besueshme produktet që ofrohen në rrjetet sociale, ata rekomandohen gjoja nga mjekë të njohur.
Pre e intervistave të fabrikuara rrejshme në Maqedoninë e Veriut janë mjekë të njohur për opinionin. Për këtë arsye tashmë dy mjekë, të cilëve u është keqpërdorur emri, kanë ngritur padi ndaj personave të panjohur.
Mjeku Velo Markovski thotë për Radion Evropa e Lirë se është tmerruar kur në rrjete sociale ka parë një intervistë ku ai rekomandon çajin ‘Parazol’ për t’i luftuar parazitët në zorrë.
Ai thotë se në këtë mënyrë seriozisht vihet në rrezik jeta e pacientëve.
“Shumë qytetarë e kanë blerë çajin si ilaç duke menduar se ai do t’u ndihmojë për problemet që kanë, pasi ai çaj në atë intervistë të rrejshme është rekomanduar nga unë. Njëherësh duke mos e ditur përbërjen e çajit, ndonjë nga konsumuesit mund të përballet me efekte të padëshiruara dhe seriozisht të dëmtojë shëndetin, veçanërisht këtu do të theksoja barërat për dobësim që jo rrallëherë rrisin tensionin tek ata që e konsumojnë”, thekson Markovski.
Çaji ‘Parazol’ tani nuk shitet në emër të mjekut Velo Markovski, por ai mbetet në treg me figurën e mjekëve imagjinarë pavarësisht se nuk është i regjistruar si produkt në farmacitë e vendit.