Policia e Kosovës njoftoi se ka pranuar një informacion nga zyra e TikTokut në Irlandë, për një postim në këtë rrjet social nga një i panjohur që flitej për vetëvrasje.

Pas verifikimit të IP-adresës, Policia njoftoi se rasti ka ndodhur në një qytet të Kosovës, ndërsa të enjten në orën 15:00 është identifikuar dhe lokalizuar personi.

Në njoftimin policor thuhet se është kontaktuar prindi i djalit që dyshohet se ka publikuar në TikTok postime “me përmbajtje të ngjashme rreth vetëvrasjes”.

“Rreth orës 15:00, është lokalizuar dhe identifikuar personi (përdoruesi i IP-adresës), fillimisht është kontaktuar me prindin, djali i të cilit dyshohet se ka postuar në TikTok nga telefoni postime me përmbajtje të ngjashme rreth vetëvrasjes. Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetime të Krimeve Kibernetike së bashku me njësi tjera policore, e kanë trajtuar rastin, është njoftuar prokurori si dhe Qendra për Punë Sociale”, ka njoftuar Policia.

Ky institucion ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë për trajtimin e shpejtë të këtij rasti.

“Me këtë veprim të shpejt dhe profesional, është arritur të parandalohet një rast potencial i dyshuar për ‘lëndim të rëndë’ apo ‘vetëvrasje’.