Tragjedia në Vilë Bashtovë/ Miku i familjes bën apel për ndihmë: Dhuroni diçka se nëna dhe vajza mbetën në kushte të mjerueshme

Para disa ditësh një tragjedi ndodhi në Vilë Bashtovë, ku u mbytën në det në tentativë për të shpëtuar njëri-tjetrin babai dhe dy djemtë e tij të mitur.
Ata lanë pas nënën dhe motrën e tyre në kushte të mjerueshme. Kjo ka bërë që shumë njerëz të sensibilizohen, madje themeluesi i fondacionit “Për Njerëzit Në Nevojë”, Albert Karanxha dhe organizuesi i GoFoundMe, Fatjon Domi kanë hapur një llogari për të gjithë qytetarët që duan të ndihmojnë familjen e të ndjerit Elvis Halilaj. Të ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ata kanë ndarë detaje për të gjithë ata që duan të dhurojnë diçka nga ana e tyre.
“Ne kemi krijuar një fondacion bamirësie para disa vitesh dhe e shfrytëzuam në maksimum për këtë rast. Fatjoni është themeluesi dhe ka stafin brenda dhe jashtë vendit, prandaj kontaktova me të. Ai është përfaqësuesi jonë në Angli dhe i thash si mendon duhet të ndihmojmë familjen, madje isha duke u kthyer me kufomat në Tiranë, rrugës. Patjetër më thotë, është diçka që duhet ta bëjmë. Edhe brenda pak minutash e hapëm GoFoundMe.
Arsyeja kryesore për ta ndihmuar, ishte për familjen, sepse nuk na kishte thënë kurrë që jetonte me ato lloj kushtesh. Ishin shumë të mjerueshme. Borxhe ka pasur sepse me atë punë nuk e mbante dot familjen, kishte një familje të madhe dhe prindërit. Edhe nga ana e besimit islam, nuk është e mirë që i ndjeri të largohet me borxhe”, u shpreh Karanxha.