Komuna e Kumanovës ka punësuar katër maqedonas në vendet e parapara për shqiptarë. Katër të punësuarit kanë deklaruar rrejshëm se i përkasin përkatësisë etnike shqiptare dhe kanë zënë vendet e punës. Në konkurs ishin paraparë katër shqiptarë në pozitat: shofer, kamarier, pastrues dhe mirëmbajtës. Në vendin e katër shqiptarëve, përmes deklarimit të rrejshëm janë punësuar Nenad Dimovski, Dragan Veliçkovski, Igor Dimitrievski dhe Boban Stojanovski. Çdo vendim për punësim mban firmën e kreut të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Vendimet për punësim

Nga Komuna e Kumanovës na thanë shkurt se për çështjen në fjalë do të përgjigjen ditën e nesërme për shkak të angazhimeve të kreut të Kumanovës, Dimitrievski në seancën e këshillit komunal. Një rast i ngjashëm me keqpërdorimin e balansuesit dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në Komunën e Kumanovës ndodhi jo më larg se në fillim të muajit maj, kur 8 maqedonas të deklaruar rrejshëm si shqiptarë kapën vendet e punës që sipas sistematizimit ishin paraparë për shqiptarë. Keqpërdorimi vjen pikërisht në kohën kur Ministria e Drejtësisë po ballafaqohet me pengesat nga ana e Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar detyrimisht përkatësinë kombëtare në dokumentet që burojnë nga Evidenca Amë, përkatësisht në certifikatat e lindjes. Ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi të ngrijë lëshimin e certifikatave të cilat jepen mbi bazën e udhëzimit që kërkon edhe deklarimin e përkatësisë kombëtare me arsyetimin se publikimi i vendimit në Gazetën Zyrtare është bërë me vonesë dhe bie ndesh me Nenin 52 të Kushtetutës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume