Sot ishte afati i fundit për marrjen e vendimit në lidhje me certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, një temë tepër e diskutuar në publik. Komisioni për shqyrtimin e ankesave në ARBK ka marrë vendim që t’ia pezulloj Klan Kosovës çertifikatën e biznesit, pasi nuk ia ka pranuar ankesën. MINT ka njoftuar se për ta kjo çështje ka mbaruar, e se rasti tashmë do të kaloj në Gjykatë.

ARBK e kishte shtyer marrjen e vendimit deri më 28 korrik për shkak të “kompleksitetit” të çështjes. Pothuajse të gjithë e kritikuan këtë nismë të ARBK-së që është pjesë e Ministrisë së Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë.

Vendimi për shtyerjen e këtij vendimi erdhi pas ankesës së Klan Kosovës, ndërsa në shkresën e tyre, ARBK-ja theksonte se ka vendosur të shtyjë afatin “për shkak të kompleksitetit të çështjes”.

Rasti i Klan Kosovës

Në fakt, çështja e Klan Kosovës u bë temë e madhe kur ARBK-ja vendosi të pezullojë certifikatën e biznesit të këtij mediumi. Në vendimin e parë, i cili siç shkruante Nacionale ishte bazuar gabimisht në ligj, ARBK-ja njoftonte se është pezulluar certifikata e biznesit.

“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.” – thuhet tutje në komunikatë.

Në lidhje me këtë vendim, kishte reaguar ashpër edhe Klan Kosova, e cila e kishte cilësuar si veprim politik dhe arbitrar vendimin e Qeverisë Kurti.

Këtë, kjo Qeveri, po e bën me vendime që nuk i përkasin një sistemi demokratik. Në emër të ligjit e Kushtetutës, po ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me të dyja, e për më keq edhe kundër parimeve të demokracisë.” – shkruan në reagimin e fundit ky medium.

Në lidhje me këtë temë kanë reaguar edhe ambasadat në Kosovë.

“Jemi në dijeni të vendimit dhe po e përcjellim këtë çështje për së afërmi.” – deklaronte ambasada e ShBA-së.

Tutje, ambasada amerikane ka deklaruar se vendimi ndaj Klan Kosovës duket se është marrë papritmas.

E vëmë në pah që duket se vendimi është marrë papritmas dhe që heqja e licencës së ndonjë medie është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim të hollësishëm. Siç e kemi thënë vazhdimisht, mediat e lira dhe të pavarura janë thelbësore për demokracitë e forta dhe të qëndrueshme.” – përfundonte Ambasada e ShBA-së.

Në të njëjtën linjë ishin edhe ambasadat e tjera, si ajo e Gjermanisë, por edhe Zyra e BE-së në Kosovë, të cilat e kritikuan një ndërmarrje të tilla nga Qeveria Kurti. Natyrisht edhe AGK-ja e kishte kritikuar një nismë të tillë, njëjtë edhe organizata ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medies.

Sekretari Gjeneral i Federatës Evropianë të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, e kishte quajtur si të turpshme një nismë të tillë, duke theksuar se “Kosova në zi..”.

“Kosova në zi… Tërheqja e certifikatës së biznesit të një kompanie mediatike është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Sidomos kur flasim për transmetuesin kryesor privat të një vendi…Më vjen keq për miqtë e mi kosovarë dhe shoqërinë civile kosovare. Ata nuk i meritojnë praktika të tilla. Solidariteti im shkon për demokratët kosovarë. Turp për varrmihësit e lirisë së shtypit dhe pluralizmit mediatik. Turp për Albin Kurtin dhe qeverinë e tij.” – shkruante ai.

Gazeta Nacionale do t’ju mbajë të informuar në lidhje me këtë temë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume