“Mesazhe nga qelitë e burgjeve, drejtësia ta marrë në mbrojtje”
Duke ngritur gishtin e akuzave mbi kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Erjon Veliaj si përgjegjës për aferën e inceneratorëve, Sali Berisha denoncoi kërcënimet që tha se prej tre javësh po i bëhen ish-zv/ Kryeministrit Arben Ahmetaj dhe familjarëve të tij.“Kërcënimet me jetë ndaj familjes së Ahmetajt që vërshojnë nga qelitë e burgjeve të Shqipërisë dhe zyrat e krimit të institucioneve shtetërore, dëshmojnë se Rama, Agaçi dhe Veliaj janë de facto dhe de jure, ligjërisht dhe penalisht, truri dhe ekzekutorët kryesorë të vjedhjes së shekullit.”
Nga organet ligjzbatuese kërkoi marrjen në mbrojtje të Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me argumentin se autorët e vjedhjes së shekullit po bëjnë gjithçka për të penguar hetimin e kësaj çështje.
“Të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por edhe vetë Arben Ahmetaj. Të dërgojnë aty ku ndodhet ky i fundit, hetues, duke e pranuar atë si bashkëpunëtor të drejtësisë.
Pas në akuza nuk la edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani, që sipas ish-Kryeministrit është i zhytur në aferën e djegësave.
“Ndaj i kërkoj dorëheqjen e menjëhershme nga posti, sepse përbën kërcënim potencial madhor për të gjithë hetuesit dhe gjykatësit e kësaj çështje, pasi ai është vetë i inkriminuar plotësisht dhe tërësisht. Artur Metani është i zhytur kokë e xhep në vjedhjen e shekullit.”
Sipas Berishës, Metani dhe Agaçi kanë legjitimuar një proces të inkriminuar për të cilin ftoi SPAK-un ta hetojë.