Lista e tyre është e gjatë, por zyrtarisht emrin “Veteran” e mbajnë veç 3 kosovarë. E akronimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shërbyen këta të fundit, i mbajnë 2 persona, një në Prishtinë e tjetri në Klinë.

Pos UÇK-së, komuna e Klinës me emër fëmijësh e nderoi edhe KFOR-in, raporton Klan Kosova.

Emri e mbiemri i komandantit legjendar, Adem Jashari, është identiteti i një djali në Prishtinë.
Derisa prindërit kryeqytetas, gjilanas e ata nga Prizreni nuk lanë anash as Plumbin – emëruan fëmijët e tyre me këtë emër, që në krejt vendin janë veç 3.

Këto emërtime interesante e goxha patriotike u shpërfaqën kur para disa ditësh, Agjencioni i Statistikave të Kosovës bëri publik rubrikën për kërkim emrash në krejt Republikën.

Pikërisht në këtë faqe u mor vesh se një djalë në Vushtrri quhet Arrestim, e për 14 të tjerë, me gjasë familjet e tyre harxhuan shumë, meqë i quajtën Shpenzim.

Kreativiteti i emrave nuk ndalet me kaq, meqë kosovarët i regjistruan foshnjat e porsalindura edhe me emra shpendësh.

Gjakova e Peja i kanë 3 Pula, ndërsa Vitia një Gjel.