Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut dhe kritikave të presidencës dhe qeverisë pas shfaqjes së flamurit “Autoctonus”.

Reagimet e shumta sipas Kasamit po vijnë pasi Qeveria e tanishme nuk po arrin ta kontrollojë frikën nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme.

“Qeveria nuk ia doli ta fsheh apo kontrollojë frikën nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, sidomos kur në pah doli fronti opozitar i bashkuar dhe me një përkrahje nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti”, ka shkruar ai në Facebook.

Kasami ka theksuar se “e kupton shqetësimin e Presidentit dhe Qeverisë, të cilës për çudi me përkrahje e reagime i doli krah edhe Beogradi”.

“E dimë se retorika e këtillë politike, nuk ka të bëjë aspak me vizitën e Albin Kurtit, por ka të bëjë me shqetësimin se opozita shqiptare në RMV po bashkohet dhe kësisoj ia numëron ditët kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit”, shtoi ai.

Për Kasamin, ardhja e kryeministrit Kurti sa ishte respekt dhe nder për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, po aq ishte edhe respekt për shtetin e Maqedonisë së Veriut, “me të cilin është nënshkruar memorandumi i projektit të përbashkët, rrugës Tetovë-Prizren”.

Ndërsa presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, ka kërkuar nga organet kompetente që organizatorët e pritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë dhe Çair të dënohen, pas shfaqjes së flamurit “Autoctonus”.

“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Lidhur me këtë, kërkoj nga organet kompetente që të kryejnë sa më shpejt procedurat e parapara”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.