Policia e Kosovës të premtën uli me 25 për qind praninë e saj në dhe përreth ndërtesave të komunave në veri të vendit të banuara me shumicë serbe, si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës.

Kjo është hera e dytë e uljes së pranisë policore që tashmë ka përgjysmuar forcat në veri pasi qeveria e Kosovës tha më 11 korrik se është pajtuar për një gjë të tillë dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.

Pajtimi u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Vendimi për uljen e dytë të pranisë policore pasoi këshillimet ndërmjet policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për sundimin e ligjit dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova po e zbaton me përgjegjësi dhe seriozitet marrëveshjen e Bratisllavës në funksion të kërkesave të Bashkimit Evropian nga 3 qershori të këtij viti për shtensionim të situatës.

Ai shkroi në rrjetet sociale se “konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për shtensisonim të qartë”, duke nënvizuar se Kosova është e kujdesshme për mundësinë e rritjes sërish të tensioneve për shkak të deklaratave që nxisin urrejtje dhe agresivitetit politik e shtetëror të Serbisë.

Kryeministri Kurti tha se “nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional dhe se zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se e mirëpret vendimin e qeverisë së Kosovës që sipas tij “ky është një hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të plotë të situatës në veri të Kosovës”.

Misioni i KFOR-it në Kosovë tha se mirëpret vendimin e institucioneve në Kosovë që sipas tyre është një hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të situatës dhe hapjes rrugë të dialogut.

“Në këtë drejtim, KFOR-i pajtohet se ka pasur një përmirësim në situatën e sigurisë në zonë, por është e rëndësishme të sqarohet se pikëpamja jonë nuk është rezultat i një veprimtarie të përbashkët vlerësimi”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Diplomacia perëndimore që atëherë ka kërkuar uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Janë dy rrugë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve të reja; përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë dhe peticionit që sipas autoriteteve në Kosovë do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha sot gjatë një vizite në komunën e Istogut rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës, se institucionet e vendit tashmë kanë vullnet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veri të vendit.

“Tani duhet edhe serbët në këto komuna të tregojnë vullnetin për të marr pjesë në zgjedhje dhe mbi të gjitha Serbia duhet ta dëshmojë që nuk e ka dëshmuar akoma që nuk do të ndërhyjë ilegalisht siç ka ka bërë në të kaluarën në zgjedhjet që mbahen në komunat e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Presidentja Osmani i bëri thirrje faktorëve perëndimorë që të parandalojnë ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në veri të Kosovës, ndërhyrje këto që sipas presidentes, shpeshherë kanë përfunduar me dhunë e frikësim të qyetatëve të asaj pjese.