Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, i ka bërë apel sistemit të drejtësisë që të mos lejojë njerëz me vepra kriminale të shëtitën të lirë e të ketë minimizim të rasteve si ajo çfarë ndodhi mbrëmë në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës.

Të premten në mbrëmje, në lokalin “Bon Vivant” pati të shtëna me armë, ku një person vdiq dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Të lënduar nga objekte të ndryshme mbetën edhe 13 persona të tjerë, të cilët kërkuan ndihmë mjekësore.

E kryetari i gastronomeve ka thënë se janë vetë ata “kujdestarë, doktorë, psikologë, policë e gjithçka tjetër” për njerëzit që kanë problem me ligjin.

“Problemet që i kemi prej pasluftë në Prishtinë (sidomos) kanë qenë se cili mangup ose ‘komandant’ po bën probleme më shumë edhe ku?! Me ‘komandanta’ u rahatuam më në fund, se bonën pare, mangupat na mbetën në qafë edhe kësaj dite”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.

Kllokoqi tutje ka shkruar se prioritet i organeve të drejtësisë duhet të jetë ç’armatosja e “terminatorëve”.

Ai i ka shprehur ngushëllim familjes Ramadanaj, djali i të cilëve vdiq gjatë ditës së sotme në QKUK pas plagëve të marra nga arma e zjarrit.