Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami është ftuar që të paraqitet në Gjykatën Themelore për tu marr në bisedë informative nga organet e rendit. Në ftesën e dërguar, shkruhet se ai ftohet në cilësi të të akuzuarit për kundërvajtje, duke mos e potencuar saktë se për çfarë lënde. Por Kasami tha se ftesa ka të bëj me pritjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë. Ndërkaq në pyetjet e gazetarëve nëse ai është ftuar në gjykatë për ndonjë shkelje tjetër ligjore që nuk ka të bëj me pritjen e kryeministrit të Kosovës, ai u përgjigj.

“Nuk është e vërtetë. Ne ftesën që e kemi është e qartë dhe tregon aty se për çfarë organizimi. Ne e kemi nxjerr në faqen zyrtare se përse jemi thirrur”.

Madje ai tha se nuk do të paraqitet në gjykatë pavarësisht ftesave.

“Nuk kam kohë të paraqitem në polici, ata e dinë ku jam dhe mund të bëjnë çfarë të duan”.

Pavarësisht lëndëve që i janë ngritur, gjatë përurimit të një rruge që po bënte këtë të premte, ai përsëri u shfaq me një flamur “Autochtonus” në prapavi, të cilin tha se kanë vendosur qytetarët në shenjë revolte ndaj presioneve të pushtetit. Përndryshe në polici ditë më parë u thirr edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, me të njëjtën arsye, për organizimin e pritjes së Albin Kurtit më 11 gusht të këtij viti.