Ejup Maqedonci e ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, të martën gjatë një ceremonie të dorëzim-pranimit.

Maqedonci do ta udhëheqë Ministrinë e Mbrojtjes, pasi u emërua në këtë pozitë nga kryeministri Albin Kurti menjëherë pas dorëheqjes së paraardhësit të tij Armend Mehajt më 8 gusht.

“Ministri Maqedonci pohoi se do të angazhohet me përkushtim të plotë në vazhdimin e projekteve, thellimin e marrëdhënieve të mira me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, në përmbushje të objektivave dhe synimeve të Ministrisë, duke zhvilluar kështu një ushtri profesionale, bazuar në standardet më të larta të ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Të martën në mëngjes, Mehaj tha përmes një postimi në Facebook se dha dorëheqje për arsye familjare.