Kryeministri Dimitar Kovaçevski kërkoi konsensus kombëtar dhe politik për amendamentet kushtetuese, të cilat janë parakusht për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe fillimin praktik të negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE). Opozita, nga ana tjetër, mbetet e qëndrimit se nuk pranon ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar. Qëndrimet janë të pandryshuara dhe nëse do të konfirmohet apo jo, opinioni do ta marrë vesh për më pak se dy javë, kur do të fillojë edhe seanca për përcaktimin e nevojës për ndryshime kushtetuese, e planifikuar për në 18 gusht, shkruan PRESSonline.al

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistën e tij të fundit për Agjencinë Informative të Maqedonisë (MIA) deklaroi se nevojitet një konsensus kombëtar, social për të arritur përfundimisht qëllimin strategjik që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së. Duke folur për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë pjesë e Kornizës negociuese dhe kusht për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe fillimin praktik të negociatave me BE-në, për qëndrimin e opozitës se nuk pranon “amendamentet kushtetuese nën diktimin bullgar”, por edhe për turbullirat politike në BDI dhe se si e gjithë kjo do të ndikojë në këtë proces, Kovaçevski thekson se deputetët aktualisht kanë një punë shumë më të rëndësishme sesa, siç tha ai, drejtimin e fushatave zgjedhore dhe kalkulimet për një karrige ministrore, deputeti apo drejtorie.

“Deputetët tani kanë, do të thosha, detyrën më të rëndësishme, që është t’u sigurojnë të ardhmen dhe perspektivën evropiane të vendit qytetarëve që u dhanë mandatin. Për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, jo vetëm qeveria, jo vetëm opozita, por e gjithë shoqëria, ka nevojë për një konsensus kombëtar e social për të arritur përfundimisht qëllimin strategjik që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së”, thekson Kovaçevski, përcjell PRESSonline.al

Seanca për ndryshime kushtetuese fillon më 18 gusht dhe Kovaçevski pret, siç thotë ai, një debat parlamentar të sinqertë, cilësor dhe të frytshëm “nëpërmjet të cilit do të sqarohen të gjitha argumentet”.

Sipas Kovaçevskit, opozita duhet të ndërtojë një qëndrim dhe të vendosë nëse është për integrim në BE, realisht dhe esencialisht, apo për izolim.

“E para ishte ‘asimilimi dhe bullgarizimi’. Pasi u pa se nuk ka asgjë nga këto, tani është ‘diktati bullgar’. Amendamentet kushtetuese nuk janë diktat i askujt dhe as propozim individual i askujt, por janë pjesë e kornizës negociuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Asgjë më shumë, asgjë më pak”, shton ai.

Për mundësinë e bllokadave të reja nga Sofja dhe nëse miratohen amendamentet kushtetuese, Kovaçevski është i mendimit se kërkesat e mëtutjeshme do t’i referohen reformave.

Opozitarja VMRO-DPMNE reagoi duke theksuar se mbesin të qëndrimit se konsensusi për ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar nuk është i mundur dhe se vetëm konsensus për zgjedhje është i mundur.

Në mbështetje të qëndrimit të tyre, partia thekson se janë edhe “mbi 80 për qind e qytetarëve, si dhe ekspertët janë kundër ndryshimit të Kushtetutës nën diktat bullgar”.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ndërkaq, të shtunën në profilin e tij në Facebook ka publikuar një video me një shpjegim të shkurtër, siç thekson ai, për thelbin e kornizës së negociatave me BE-në, në përgjigje të spekulimeve të shumta lidhur me përmbajtjen e tij.

Ajo që është më e rëndësishme, thekson Osmani, ndër të tjera, është se në asnjë nga këto standarde, tabela rrugore apo hapa në pjesën e veçantë të kornizës së negociatave nuk ka asnjë referencë apo lidhje me Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë, asnjë referencë për këtë çështje me punën e Komisionit Historik dhe as rishikim të nenit 12 të së njëjtës Marrëveshje, përcjell PRESSonline.al