Shkruan: Shaban Sinani
Libri “Më jep një ëndërr” u promovua në kuadër të aktivitetit letrar të realizuar në Sallën solemne të Rektoratit të Universitetit ”Isa Boletini” në Mitrovicë, nën përkujdesjen e Universitetit Isa Boletini” të Mitrovicës dhe Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” nga Suedia.
Një vlerësim rreth librit paraqiti Flora Peci, ku mes tjerash theksoi: “T’i japësh frymë vargut, ta bësh atë dialog të së sotmes, të kaluarës dhe të së ardhmes, do të thotë se ke arritur piedestalin e një vargu me peshë të lartë artistike. Një ndjenjë, një dukuri të tillë e gjejmë te poetja Sadije Aliti, në poezitë e saj hasim në mjeshtërinë e gjuhës së figurshme ku mbizotërojnë metafora, krahasimi dhe antiteza. Sa kemi përshtypjen se autorja është shumë feministe, sërish ndërrojmë mendje se ajo na fal edhe vargun ku na bind se shkon tej feminizmit për të na prezantuar vargun atraktiv i cili sa përkon me të kaluarën mitike, aq edhe ndërthuret me vargëzimin modern”.
Fjalë rasti mbajti edhe Hysen Ibrahimi kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi, i cili potencoi se kjo shoqatë e ka shtrirë veprimtarinë e saj jo vetëm në mërgatë, por edhe në të gjitha hapësirat shqiptare me veprimtari letrare e shkencore, ka publikuar dhe dokumentuar punën e realizuar në diasporë për disa dekada.
Autorja, Sadije Aliti, u shpreh se është ndjenjë e veçantë që edhe në Mitrovicë të shtrihet gama e prmomovimeve të krijimtarisë poetike, është një suksese dhe një shenjë faleminderimi për bashkëpunimin me shoqatën në fjalë ndër vite.
U përurun edhe veprat ”Thesar Kombëtar…” 12 e 13, ”JUBILEUM Suedia/Sverige 500 vjet/år Kosova 15 vjet/år Kumtesa / Anföranden” dhe disa vepra nga më të rejat të krijuesve letrarë nga mërgata dhe Kosova.