“VMRO-DPMNE flet për interesa shtetërore, por anon më shumë kah interesat partiake”, thotë në një prononcim për “Frontline” gazetari dhe komentatori politik Urim Saliu, duke folur për refuzimin e opozitares VMRO-DPMNE për të votuar ndryshimet kushtetuese, madje në një situatë kur shumica parlamentare i përmbushi të gjitha kërkesat e saj për të bërë hapin e madh politik dhe për të ecur pa probleme në rrugën drejt BE-së, infromon PRESSonline.al
“VMRO-DPMNE duhet të kuptojë se nuk mund të gjejë kundërshtarë në mesin e shqiptarëve, ata zakonisht janë që përcjellin mesazhet për ndërtimin e së ardhmes evropiane, ndërsa partia më e madhe opozitare e maqedonasve në këtë moment delikat për vendin ka më shumë frikë rejtingun e saj, sesa t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian. Që të ndodhë kjo duhen ndryshime kushtetuese dhe këtu duhet të bindet VMRO-DPMNE-ja, e cila mendon se po të mbështes ndryshimet kushtetuese do të humb terrenin politik, por nuk pyesin nëse po e humbasin të njëjtën gjë edhe partitë e tjera kur janë të vendosur të jenë pro këtyre ndryshimeve. Mickovski kërkon zgjedhje, jo zgjidhje”, thotë Saliu.
Ai thekson se Hristijan Mickoski duhet të kuptojë se shqiptarët asnjëherë nuk kanë dashur t’i dëmtojnë interesat e këtij vendi, por janë sakrifikuar për ta ndërtuar atë, edhe nëse kanë humbur nga interesat e tyre.
“Mund ta imagjinoni nëse partitë e tjera të shqiptarëve do të ishin kundër këtyre ndryshimeve, pastaj do ta çonin vendin në një regres të paparë. VMRO-DPMNE duhet të reflektojë në këtë moment vendimtar për të ardhmen e shtetit. Nëse mendojnë dhe votojnë amendamentet kushtetuese do të fitojnë te faktorët ndërkombëtarë, por edhe me partitë e shqiptarëve, sepse atëherë do ta kenë më të lehtë të bashkëpunojnë me ta. Ndryshe VMRO-ja do të shkojë drejt izolimit me madhështinë e rrejshme të patriotizmit, por në dëm të tyre dhe në dëm të proceseve dhe interesave shtetërore. VMRO-ja duhet ta kuptojë se e keqja nuk vjen nga shqiptarët dhe as nga faktori ndërkombëtar, por nga vetja e tyre, ata po shikojnë vetëm se si të vijnë në pushtet dhe janë të interesuar për rejtingun në këtë moment”, nënvizoi Saliu për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe zyrtar i lartë partiak i BDI-së, Artan Grubi, deklaroi se prania dhe fuqia e BDI-së në Qeveri, nga opozitarja VMRO-DPMNE, janë paraqitur si e vetmja pengesë që opozita të mbështesë amendamentet kushtetuese, kështu që, siç ka deklaruar ai, ia plotësuam edhe këtë dëshirë Hristijan Mickoskit duke u tërhequr nga pushteti ekzekutiv për të reflektuar ai politikisht.
“Pas dorëheqjeve të BDI-së qëndron Bashkimi Evropian, integrimi i shtetit në BE. Të gjithë partnerët tanë janë njoftuar. I dorëzuam dorëheqjet kryeministrit, për të dëshmuar dhe treguar liderëve të opozitës se jemi seriozë për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ne nuk jemi për zgjedhje të parakohshme. Ne besojmë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje dhe për këtë arsye nuk duhet të mbahen tani, por duhet të mbahen në afatin e rregullt në korrik të vitit 2024”, tha Grubi për “Ora News”.
LSDM-ja në pushtet njoftoi se me dorëheqjet e ministrave të BDI-së, të cilat do të hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të amendamenteve kushtetuese, Hristijan Mickoski dhe VMRO – DPMNE menjëherë mund të bëhen pjesë e një qeverie në të cilën BDI-ja nuk do të marrë pjesë dhe më pas të organizohen zgjedhje të parakohshme.
Nga LSDM thonë se çdo deputet, çdo subjekt politik ka përgjegjësi që t’i bashkohet procesit dhe t’i mbështesë ndryshimet e Kushtetutës, gjithçka tjetër është kundër interesave shtetërore dhe kombëtare.