Laboratori për gazetari hulumtuese (IRL), në dokumentarin e tij të më të ri “Vrasje në Tetovë” zbulon fakte të panjohura deri tani për zjarrin në spitalin modular në Tetovë në të cilin vdiqën 14 persona, të cilat tregojnë hetime të sabotuara dhe fshehje të lëshimeve gjatë ndërtimit të objekteve modulare nga ana e personave përgjegjës në institucione. Sot, gazetarët publikuan dokumentet mbi të cilat bazohet hulumtimi së bashku me një ndarje të ngjarjeve kryesore që çuan në tragjedi dhe mbulimin e fajtorëve nga ana e prokurorëve.

Hulumtimi tregon se spitalet modulare për kovid, përfshirë atë të djegur në Tetovë, u ndërtuan në mënyrë të papërshtatshme duke anashkaluar më shumë procedura ligjore. Janë ndërtuar pa elaborat për instalim elektrik, pa elaborat për mbrojtje nga zjarri, pa mbikëqyrje të ndërtimit dhe një sërë lëshimesh të tjera ligjore. Dokumentet deri te të cilat erdhën gazetarët e IRL-së tregojnë se për procedurën e papërshtatshme të tenderit, u ngrit alarmi që në thirrjen e parë për ndërtimin e një qendre modulare kovid, kur kompetenca ishte në Ministrinë e vetëqeverisjes lokale. Ministri i atëhershëm, Goran Milevski, anuloi procedurën sepse u shkelën disa ligje, dhe ai dyshoi se disa kompani ishin të favorizuara.
Pas kësaj, kompetencat për zhvillimin e tenderit kaluan në Ministrinë e shëndetësisë, të udhëhequr në atë kohë nga Venko Filipçe. Si në procedurën e anuluar, ashtu edhe më vonë në procedurën e përsëritur, tenderi iu dha kompanisë maqedonase Brako, një nga kompanitë familjare të ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev.

Më vonë, u realizua një tender tjetër për ndërtimin e 17 qendrave modulare kovid në brendësi të vendit, përfshirë atë në Tetovë. Ky tender u realizua nga Ministria e punës dhe politikës sociale në bashkëpunim me Ministrinë e shëndetësisë. Pesë nga spitalet do të ndërtohen nga firma e Valandovës JBT Ari dhe Tom, dhe 12 të tjerat, përfshirë atë të Tetovës, do të ndërtohen nga Brako.

Specifikimi teknik për ndërtimin e këtyre objekteve modulare do të përgatitet dhe nënshkruhet nga arkitektja Vanja Andonova, atëherë nëpunëse në kabinetin e ministrit Filipçe. Andonova, pas largimit të Filipçes nga funksioni i ministrit u punësua në Brako.

Pak para se të ndodh zjarri, filloi të përgatitet edhe një tender tjetër për objektet modulare, për të zëvendësuar kësaj rradhe objektet e vjetra të ambulantave në Shkup. Ky tender është fituar nga kompania bijë e Brakos, kompania EMS.

Sapo të fillojnë të ndërtohen tre ambulancat e para modulare, ndodh zjarri në Tetovë. Disa ditë pas zjarrit, realizuesi do të kërkojë përmirësimin e standardeve për ndërtimin e ambulancave. Për ndërtimin e këtyre 10 ambulancave është angazhuar edhe një kompani për mbikëqyrje të ndërtimit, që nuk ishte rasti me objektet e mëparshme modulare. Tani, mbikëqyrja e sapo prezantuar do të thotë se specifikimi teknik nuk plotëson standardet minimale për sigurinë dhe rezistencën ndaj zjarrit.

Dokumentet tregojnë se larg syve të publikut, realizuesi dhe Ministria e shëndetësisë do të nënshkruajnë një aneks të kontratës për përmirësimin e standardeve, duke rritur kështu çmimin e realizimit me rreth 15 për qind. Ky aneks i kontratës, edhe pse është detyrim ligjor, nuk do të dorëzohet nga Ministria e shëndetësisë deri në Byronë për furnizime publike, institucion kompetent për shpalljen e të gjitha kontratave të lidhura të institucioneve.

Përveç elementëve të kontestuar rreth procedurave të tenderit, dokumentacioni i siguruar nga gazetarët e IRL-së tregon se hetimi për zjarrin është kryer fillimisht në drejtim të zbulimit të shkaqeve të zjarrit dhe pse i gjithë objekti u dogj kaq shpejt, por disa muaj më vonë do të ngriheshin akuza për vepra penale krejtësisht të tjera.

Dokumentacioni tregon se prokurorët, tre nga Tetova dhe dy nga Shkupi, e dinin që në muajin e parë se specifikimi teknik ishte i kontestueshëm, dhe urdhëruan katër ekspertiza që lokalizojnë lidhjet shkak-pasojë për zjarrin. Midis këtyre dokumenteve janë ekspertiza për instalimet elektrike dhe raporti i forenzikëve gjermanë. Megjithatë, në mënyrë mjaft të paqartë, prokurorët do të vendosin të porosisin një ekspertizë të pestë të realizuar nga profesorët nga Fakulteti i shkencave të inxhinierisë elektrike, i cili nga ana tjetër do të shprehë pikëpamje të kundërta mbi paraqitjen e zjarrit nga ekspertizat e mëparshme.

Pak ditë pas kësaj ekspertize, do të ngrihet akuza që do të përfshijë tre persona fizik, dy drejtorët Florim Besimi, Artan Etemi për vepra penale të rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe mjekun Boban Vuçevski për mosveprimin sipas rregullave shëndetësore gjatë një epidemie.

Procedura gjyqësor do të hutujë opinionin, sepse në asnjë moment nga shqyrtimet kryesore nuk u diskutua për shkaqet e zjarrit dhe as nuk u prezantua ekspertiza gjermane. Në fund të procedurës gjyqësore, edhe gjykatësi Jordan Velkovski do t’ua bëjë të qartë gazetarëve me iniciativën e tij se ky gjykim nuk kishte të bënte me zjarrin dhe se është prokuroria ajo që i sjell lëndet te ata, dhe kjo lëndë ka të bëjë me vepra penale të tjera.

Shans të dytë për drejtësi ka në një hetim tjetër të prokurorit që zhvillohet në Prokurorinë për krimin e organizuar dhe korrupsionin. U njoftua se kjo prokurori do të kontrollonte dokumentacionin e tenderit, por ai hetim është ende në fazën parahetimore dhe nuk po bën asnjë përparim.

Storja hulumtuee “Vrasje në Tetovë” bazohet në dokumentacionin e siguruar nga gazetarët nga institucionet përmes Ligjit për qasje të lirë në informacione të karakterit publik, si dhe materialet e paraqitura nga sinjalizuesit nga procedura e tenderit për ndërtimin e objekteve modulare dhe nga hetimi i udhëhequr nga Prokuroria themelore publike në Tetovë.
Materialet përmbajnë 585 dokumente të shkruara në 5455 faqe.

https://irl.mk/ubistvo-vo-tetovo/

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume